Deputetë të opozitës vijuan edhe sot (e enjte) bllokimin e seancave plenare të Kuvendit në Shqipëri. Teksa pritet nisja e seancës plenare, ku do të votohet nen për nen dhe në tërësi projektbuxheti i vitit 2024, një grup deputetësh të opozitës u përpoqën të vendosin karrige në foltoren e Kuvendit, por janë ndaluar nga Garda e Republikës, e cila nuk lejoi deputetët t’i afrohen foltores.
Deputetët e opozitës vijuan të qëndrojnë përballë punonjësve të Gardës, duke debatuar, shkruan ATSh.
Për shkak të trazirave në sallën e seancave plenare ditën e hënë, u përjashtuan 6 deputetë të opozitës për 10 ditë. Kështu pjesë e seancës sot nuk do të jenë Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti.