UBT News

Progresi për mjedisin: Komisionerja e BE-së vlerëson Shqipërinë, PD e kundërshton si “propagandë të qeverisë”

Komisionerja për Zgjerim në Bashkimin Europian, Marta Kos, ka vlerësuar Shqipërinë si një nga vendet pararojë në procesin e integrimit, duke vënë theksin te përparimi i shënuar në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Gjatë deklaratës së saj, Kos nënvizoi se ky progres është i njohur dhe i vlefshëm, por shtoi se çdo projekt zhvillimor – përfshirë atë në Zvërnec – duhet të jetë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor të BE-së, veçanërisht me Kapitullin 27 që rregullon mjedisin.

Komisionerja bëri të ditur se Komisioni Europian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe se ka marrë garanci të plota nga qeveria për një vlerësim të detajuar të ndikimit në mjedis për projektin e Zvërnecit. “Në situata të tilla është e rëndësishme që të gjithë të punojmë mbi bazën e fakteve,” u shpreh Kos.

Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të Partisë Demokratike. Përmes një qëndrimi zyrtar, opozita e ka akuzuar komisioneren se po bazohet në “informacione të rrejshme dhe të pasakta të paraqitura nga miku i saj Edi” dhe se deklarata e saj nuk pasqyron realitetin ekzistues në Shqipëri.

Sipas PD-së, vlerësimet që vijnë nga Brukseli injorojnë krizën e rëndë politike dhe sociale që ka mbërthyer vendin. Opozita thekson se qëndrime të tilla, në vend që të ndihmojnë, vetëm sa e rëndojnë dhe e thellojnë më tej situatën, duke i shërbyer politikisht kryeministrit Rama. Në mbyllje të reagimit, Partia Demokratike rikonfirmoi mbështetjen e saj të plotë për pesë kërkesat e protestuesve, duke i cilësuar ato si kushte të panegociueshme për një zgjidhje paqësore të krizës në vend. /Euronews/ /E.A/

Exit mobile version