UBT News

Profesori i UBT-së, Liburn Jupolli, realizon muzikën dhe sound design për Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias 2026

Profesori i Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit në UBT, Liburn Jupolli, ka realizuar muzikën origjinale dhe sound design-in për Pavijonin e Republikës së Kosovës në edicionin e 61-të të Bienales së Artit në Venecia, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor.

Kosova në këtë edicion të La Biennale di Venezia 2026 përfaqësohet nga artisti Brilant Milazimi me projektin “Hard Teeth / Dhëmbë të Fortë”, i cili prezantohet në kuadër të konceptit kuratorial “In Minor Keys”.

Puna artistike e profesorit Jupolli është zhvilluar në dialog të afërt me konceptin artistik të ekspozitës, materialitetin e veprave dhe përvojën hapësinore të pavijonit. Muzika dhe dizajni zanor janë konceptuar jo vetëm si element shoqërues, por si pjesë organike e narrativës artistike, duke krijuar një hapësirë të kujtesës, tensionit, transformimit dhe reflektimit emocional.

Kompozicioni ndërtohet mbi një ndërthurje mes pianos, lahutës, elektronikës dhe tingullit trupor, ku secili element trajtohet si një identitet më vete artistik dhe akustik. Pianoja shfaqet si strukturë rezonante, lahuta si prani historike dhe ekspresive, elektronika si fushë transformimi tingullor, ndërsa efekti live i “teeth grinding” trajtohet si gjest fizik dhe emocional njerëzor.

Procesi krijues ka përfshirë kompozim instrumental, trajtim elektroakustik, live-electronics për piano dhe lahutë, regjistrim, përpunim të tingullit, kompozim hapësinor dhe sound design.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi ndërkombëtar, Jupolli ka bashkëpunuar ngushtë me artistin Brilant Milazimi, kuratorin José Esparza Chong Cuy, komisioneren Hana Halilaj, si dhe me Galeria Kombëtare e Kosovës.

Ky projekt përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe artistik për profesorin Liburn Jupolli, por edhe një dëshmi të angazhimit të UBT-së në zhvillimin e praktikave bashkëkohore artistike dhe kreative që arrijnë prezantim në platformat më prestigjioze ndërkombëtare.

Përmes këtij projekti, UBT vazhdon të dëshmojë rolin e tij në mbështetjen e krijuesve dhe profesionistëve që kontribuojnë në afirmimin ndërkombëtar të artit dhe kulturës së Kosovës.

Exit mobile version