Angazhimi i vazhdueshëm i stafit akademik të UBT-së në kërkimin shkencor po vazhdon të sjellë rezultate të rëndësishme në promovimin e vlerave natyrore, shkencore dhe mjedisore të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku, ka publikuar punimin shkencor me titull “Identity Card of the Mineral Water Spring ‘Vërboc’, Republic of Kosovo” në revistën ndërkombëtare Underground Vision SpeleoMedit Magazine.
Studimi paraqet një analizë të detajuar të burimit mineral të Vërbocit, i cili ndodhet në territorin e Komunës së Drenasit, duke trajtuar aspektet gjeografike, gjeologjike, hidro-gjeologjike dhe mjedisore të këtij resursi të rëndësishëm natyror. Përmes hulumtimeve në terren, analizës së literaturës shkencore dhe përdorimit të metodave bashkëkohore të matjes dhe hartografimit, punimi synon të krijojë një “kartë identiteti” të këtij burimi mineral, duke kontribuar në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e pasurive ujore të Kosovës.
Në punim theksohet rëndësia e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore për jetën e njeriut, biodiversitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe nevoja për identifikimin dhe menaxhimin e tyre profesional. Studimi sjell të dhëna të reja shkencore për burimin mineral të Vërbocit, i cili deri më tani ka qenë relativisht pak i trajtuar në literaturën akademike.
Ky publikim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e hidrogjeologjisë, shkencave mjedisore dhe menaxhimit të resurseve ujore, duke dëshmuar njëherësh përkushtimin e UBT-së ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe prodhimit të njohurive me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Këtu mund ta lexoni artikullin e plotë: LINKU
