Profesori i UBT-së, Halil Bashota ka prezantuar punimin e tij shkencor dhe ka marrë pjesë në një panel diskutimi në Konferencën Ndërkombëtare për Ekokritikën dhe Studimet Letrare, të organizuar nga London Centre for Interdisciplinary Research (LCIR), në Birkbeck, University of London, në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Punimi i profesorit Bashota trajtoi ekopoetikën dhe modernizmin përmes veprave të poetit amerikan William Carlos Williams, me fokus të veçantë në poezitë “Asphodel” dhe “The Red Wheelbarrow”. Përmes kësaj analize, ai shqyrtoi mënyrën se si poezia e Williams-it ndërton marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe natyrës, trajton botën natyrore dhe nxjerr në pah rëndësinë ekologjike të përditshmërisë.
Konferenca e cila u organizua nga London Centre for Interdisciplinary Research (LCIR) në Birkbeck, University of London, shërbeu si një platformë për dialog ndërdisiplinor dhe diskutime mbi mënyrat se si letërsia, kultura dhe studimet mjedisore ndihmojnë në kuptimin e marrëdhënies së njeriut me natyrën dhe sfidat ekologjike bashkëkohore.
