Më 21 tetor 2025, profesori i Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Gazmend Ejupi, mori pjesë në një ngjarje të veçantë, me ftesë të British Council, organizuar në nder të Ekonomisë Krijuese të Ballkanit Perëndimor. Pritja u zhvillua nga Madhëria e Tij, Mbreti Charles III, në një atmosferë solemne dhe prestigjioze, ku u promovuan iniciativat që mbështesin krijimtarinë, artin dhe inovacionin në rajon.
Për profesor Ejupin, ky moment kishte një domethënie të veçantë personale. Si ish-banues i Londrës për 20 vite, ai u ndje i lidhur ngushtë me qytetin dhe kulturën britanike, duke shijuar një përvojë që ndërthurte kreativitetin, rrjetëzimin profesional dhe njohjen ndërkombëtare. Pjesëmarrja e tij thekson edhe njëherë kontributin e Kosovës në fushën e ekonomisë krijuese dhe artit digjital.
Gjatë pritjes, përfaqësues të artit, medias, teknologjisë dhe sektorit krijues nga e gjithë Ballkani Perëndimor patën mundësinë të ndajnë eksperiencat e tyre, të diskutojnë sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të ekonomisë krijuese dhe të ngrenë bashkëpunime të reja ndërkufitare.
