UBT News

Profesori i UBT-së fiton grant prestigjioz kërkimor në Universitetin Çarls të Pragës

Nga qindra aplikime të profesorëve universitarë nga Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, Prof. Dr. Avni H. Alidemaj, pedagog dhe studiues në UBT, ka fituar një grant të rëndësishëm në kuadër të Fondit të Vishegradit për Ballkanin Perëndimor. Ky program prestigjioz u dedikohet anëtarëve të stafit akademik për të zhvilluar hulumtime shkencore dhe për të kontribuar në mësimdhënie në universitete elitare evropiane.

Nga Kosova, vetëm katër kandidatë kanë fituar këtë grant, ndërsa Prof. Alidemaj do të angazhohet gjatë muajit tetor në Universitetin Çarls të Pragës, ku do të realizojë projekte kërkimore në fushën e të drejtave të njeriut dhe do të mbajë ligjërata për studentët e Fakultetit Juridik.

Universiteti Çarls është një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Evropë dhe ndër më të vjetrit në botë. I themeluar në vitin 1348, ky universitet ka mbi 677 vite traditë akademike dhe sot renditet në mesin e 300 universiteteve më të mira botërore.

Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për Prof. Alidemajn dhe UBT-në, por edhe për akademinë kosovare në përgjithësi. UBT vazhdon të jetë një urë e fuqishme e shkëmbimeve akademike dhe kërkimore ndërkombëtare, duke sjellë njohuri të reja, përvoja të vlefshme dhe standarde bashkëkohore për studentët dhe shoqërinë kosovare në tërësi.

Exit mobile version