Një ekip i profesorëve të UBT-së ka botuar një studim të rëndësishëm shkencor në revistën prestigjioze Journal of Ecological Engineering, i cili trajton cilësinë e ujërave nëntokësore në komunën e Suharekës, një zonë me rëndësi të madhe për furnizimin me ujë dhe zhvillimin bujqësor në Kosovë.
Punimi me titull: “Assessment of Groundwater Quality – Case Study, Suharekë Municipality, Kosovo”, është realizuar nga autorët: Prof. Dr. Hazir S. Çadraku dhe Prof. Skender Bublaku, me bashkëautorësi edhe të Agron Shalës nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Hulumtimi thekson se uji është një burim thelbësor për jetën dhe zhvillimin njerëzor, ndërsa ujërat nëntokësore përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ujërave të ëmbla në botë, nga të cilat varen mbi 2.5 miliardë njerëz. Studiuesit sjellin një pasqyrë të gjerë të literaturës shkencore dhe faktorëve që ndikojnë në cilësinë e ujit, duke përfshirë proceset gjeologjike, aktivitetet urbane, bujqësore dhe ndotjen që vjen nga mbetjet apo përdorimi i plehrave kimike.
Për realizimin e studimit janë marrë 16 mostra uji nga puse të hapura dhe të shpuara në zona të ndryshme të Suharekës, të cilat përdoren nga banorët për pije, bujqësi dhe industri. Mostrat janë analizuar sipas standardeve ndërkombëtare të ISO dhe WHO, duke vlerësuar 24 parametra fizikë, kimikë dhe mikrobiologjikë. Të dhënat janë përpunuar me metodologji shkencore moderne, përfshirë përdorimin e indeksit të cilësisë së ujit (WQI), analizës hidrokimike dhe hartimit të shpërndarjes hapësinore të parametrave.
Rezultatet treguan se shumica e puseve kanë ujë me cilësi të mirë dhe të sigurt, megjithëse disa mostra shfaqën tejkalime të vlerave të lejuara për parametra të caktuar si nitratet, amoniumi, magnezi, COD dhe turbullira. Studimi identifikoi shtatë lloje hidrokimike, ku më të zakonshmet ishin tipet Ca-Mg-HCO₃-CO₃ dhe Mg-Ca-HCO₃-CO₃, të cilat lidhen me përbërjen gjeologjike të terrenit.
Autorët theksojnë se monitorimi i rregullt i ujërave nëntokësore është jetik, pasi cilësia e tyre ndikohet drejtpërdrejt nga aktivitetet njerëzore, urbanizimi dhe përdorimi i tokës. Studimi ofron të dhëna të vlefshme për institucionet lokale dhe kombëtare, sidomos për hartimin e politikave të menaxhimit të qëndrueshëm të ujit, në përputhje me Direktivën Kornizë të BE-së për Ujërat.
Ky publikim e konsolidon UBT-në si një ndër institucionet lidere në kërkimin shkencor në Kosovë, me profesorë të angazhuar në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare që adresojnë çështje kritike të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
