UBT News

Profesorët e UBT-së, Musa Sabedini dhe Ferid Selimi, botojnë artikull shkencor në revistën e indeksuar në SCOPUS

Një arritje e rëndësishme akademike është shënuar nga profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Prof. Musa Sabedini dhe Prof. Ferid Selimi, të cilët kanë botuar një artikull shkencor në revistën shkencore multidisiplinare “Architectural Image Studies”, të indeksuar në SCOPUS.

Artikulli mban titullin: “Misinformation and the Use of Emotional Language in Albanian-Language Media in Kosovo: A Comparative Analysis of the March 2004 Riots and the September 2023 Banjska Attack” dhe trajton mënyrën se si mediat në gjuhën shqipe në Kosovë kanë raportuar për tensionet ndëretnike dhe ngjarjet e dhunshme, duke bërë një analizë krahasuese mes ngjarjeve të marsit 2004 dhe sulmit të Banjskës në shtator 2023.

Studimi analizon si aspektin kuantitativ të mbulimit mediatik, ashtu edhe gjuhën emocionale të përdorur në raportim, përmes një analize të përmbajtjes së gazetave qendrore.

“Ky publikim përbën një moment të rëndësishëm profesional dhe personal për mua. Edhe pse e kam kuptuar prej kohësh se kërkimi shkencor kërkon durim, përkushtim dhe ekspertizë të thellë, kjo përvojë më ka dëshmuar se puna e palodhur dhe bashkëpunimi akademik sjellin rezultate të prekshme. Jam jashtëzakonisht i lumtur që puna jonë është vlerësuar dhe çmuar në këtë nivel, dhe besoj se ky është vetëm një hap drejt botimeve të tjera edhe më të fuqishme në fushën e gazetarisë dhe komunikimit”, ka thënë mes tjerash profesor Musa Sabedini.

Rezultatet tregojnë se, ndonëse mediat kanë raportuar gjerësisht për këto ngjarje, janë evidentuar dallime të dukshme në mënyrën e raportimit, në përqindjen e hapësirës kushtuar dhunës ndëretnike, si dhe në përdorimin e termave emocionalë apo nxitës.

Autorët arrijnë në përfundimin se faktorët historikë, kulturorë dhe politikë, si dhe mungesa e koordinimit institucional, ndikojnë në praktikat e gazetarisë, duke theksuar nevojën për gazetari të përgjegjshme në kontekste me ndjeshmëri etnike.

Artikulli është publikuar më 1 nëntor 2025, në Vol. 6, Nr. 3 të revistës, dhe mund të lexohet online në linkun: Artikulli i plotë

Exit mobile version