Kontributi i stafit akademik të UBT-së në kërkimin shkencor dhe në publikimet ndërkombëtare është pasuruar me një tjetër rezultat të rëndësishëm. Prof. Dr. Marigona Bekteshi Ferati në bashkëautorësi me Prof. Mirsad Ferati kanë publikuar artikullin shkencor me titull “Ethical Imagination from Actor Training to Applied Theatre: Participatory, Horizontal and Relational Studio Practices at the Stella Adler Academy”, në revistën ndërkombëtare Applied Theatre Research: Socially Engaged Performance, të botuar nga Intellect.
Revista është një publikim ndërkombëtar, peer-reviewed, që fokusohet në kërkimet dhe praktikat bashkëkohore në teatrin e aplikuar dhe performancën e angazhuar shoqërore.
Publikimi i artikullit në këtë revistë përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike, duke dëshmuar angazhimin e profesorëve të UBT-së në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në adresimin e temave bashkëkohore në fushën e artit, teatrit dhe performancës.
Artikulli trajton imagjinatën etike në procesin e formimit të aktorit dhe kalimin nga trajnimi tradicional i aktorit drejt praktikave të teatrit të aplikuar, duke u fokusuar në praktikat pjesëmarrëse, horizontale dhe relacionale të zhvilluara në studion e Stella Adler Academy. Përmes kësaj qasjeje, autorët shqyrtojnë mënyrat se si procesi i trajnimit artistik mund të krijojë hapësira për bashkëpunim, dialog, reflektim dhe angazhim të ndërsjellë.
