Profesorët e UBT-së po vazhdojnë të japin kontribut të rëndësishëm në kërkimin shkencor ndërkombëtar përmes publikimit të punimeve në revista me ndikim të lartë, duke afirmuar edhe një herë cilësinë akademike dhe angazhimin kërkimor të institucionit.
Një nga publikimet më të fundit është punimi shkencor “Multidisciplinary Orthodontic Management of Non-syndromic Delayed Tooth Eruption and Impacted Maxillary Canine Complicated by Traumatic Mandibular Fracture in a Healthy Adolescent: A Case Report”, i autores Prof. Miranda Sejdiu Abazi, në bashkëpunim me Saranda Sejdiu Sadiku, Alban Olluri dhe Arben Abazi, i botuar në revistën prestigjioze European Journal of Dentistry.
Punimi paraqet një rast klinik kompleks, ku trajtohet menaxhimi i eruptimit të vonuar të shumë dhëmbëve të përhershëm, kaninit maksilar të impaktuar dhe kafshimit të thellë, përmes një qasjeje të integruar ortodontike, kirurgjikale dhe biomekanike. Vlerën shkencore të studimit e rrit edhe trajtimi i një komplikimi të paparashikuar – frakturës traumatike të mandibulës gjatë procesit terapeutik – që kërkoi koordinim të ngushtë multidisiplinar deri në përfundimin me sukses të trajtimit.
Përveç rëndësisë klinike, studimi ofron një kontribut të vlefshëm edukativ për profesionistët dhe studentët e stomatologjisë, duke paraqitur një model praktik të planifikimit të trajtimit, vendimmarrjes terapeutike dhe menaxhimit të rasteve komplekse. Publikimi në European Journal of Dentistry, revistë e renditur në kategorinë Q1 në Scopus, me CiteScore 5.1 dhe Impact Factor 2.2, dëshmon nivelin e lartë shkencor të këtij kontributi.
Një tjetër arritje e rëndësishme është publikimi i artikullit “Can Artificial Intelligence Replace the Orthodontist’s Hand?”, me Prof. Miranda Sejdiu Abazi si autore e vetme, në European Journal of General Dentistry.
Artikulli trajton një nga temat më aktuale të ortodoncisë moderne, duke analizuar ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në diagnostikim, planifikimin e trajtimit dhe vendimmarrjen klinike. Në të njëjtën kohë, punimi ngre një pyetje thelbësore për të ardhmen e profesionit: nëse zhvillimi i inteligjencës artificiale mund ta zëvendësojë ekspertizën, gjykimin klinik dhe përgjegjësinë profesionale të ortodontit.
Në analizën e saj, autorja argumenton se, megjithëse inteligjenca artificiale dhe sistemet robotike po transformojnë mënyrën e punës në ortodonci dhe rrisin saktësinë e proceseve diagnostikuese e terapeutike, ato mbeten mjete mbështetëse që nuk mund të zëvendësojnë përvojën, arsyetimin klinik dhe vendimmarrjen njerëzore.
Këto publikime dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të stafit akademik të UBT-së në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe kontribuojnë në avancimin e njohurive në fushën e stomatologjisë dhe ortodoncisë, duke rritur njëkohësisht prezencën dhe reputacionin ndërkombëtar të UBT-së në komunitetin akademik.

