UBT News

Profesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, ftohet si studiuese kërkimore në një nga bibliotekat më prestigjioze në botë

Profesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, është ftuar zyrtarisht si Guest Researcher në Herzog August Bibliothek në Wolfenbüttel të Gjermanisë, një prej bibliotekave kërkimore më prestigjioze në botë dhe ndër institucionet më të rëndësishme për studimet humanistike.

Ky angazhim përbën një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për punën e saj shkencore, duke e pozicionuar atë në një prej qendrave më elitare të kërkimit në Evropë, ku studiues nga e gjithë bota zhvillojnë projekte mbi historinë, kulturën dhe trashëgiminë intelektuale evropiane.

E themeluar në vitin 1572, Herzog August Bibliothek ka një histori mbi 450-vjeçare dhe në shekullin XVII njihej si “Mrekullia e Tetë e Botës”, falë koleksionit më të madh të librave në Evropë. Biblioteka ruan mijëra dorëshkrime mesjetare, inkunabula, harta historike, dokumente arkivore dhe koleksione unike me rëndësi botërore. Ndër pasuritë e saj më të çmuara është edhe Evangeliari i Henrikut të Luanit, një nga dorëshkrimet më të rëndësishme të Mesjetës evropiane. Institucioni është udhëhequr ndër shekuj edhe nga personalitete të shquara të mendimit evropian, si Gottfried Wilhelm Leibniz dhe Gotthold Ephraim Lessing.

Gjatë qëndrimit në këtë institucion, Prof. Bekteshi-Ferati do të zhvillojë projektin e saj kërkimor me titull “Cultural Encounters and Theatrical Representation: The Balkans between the Ottoman and Habsburg Worlds (16th–18th Century)” (“Takimet kulturore dhe përfaqësimi teatror: Ballkani ndërmjet botës Osmane dhe asaj Habsburge (shekujt XVI–XVIII)”), duke hulumtuar në një nga fondet më të pasura arkivore në Evropë.

Ky projekt synon të analizojë ndërveprimet kulturore dhe mënyrën e përfaqësimit të Ballkanit në teatër gjatë periudhës ndërmjet shekujve XVI dhe XVIII, duke u mbështetur në burime të rralla historike dhe materiale arkivore me vlerë të jashtëzakonshme shkencore.

Exit mobile version