Profesoresha e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Jeta Kiseri Kubati, së bashku me një ekip ndërkombëtar të specialistëve të ortodoncisë, ka publikuar një studim të rëndësishëm në revistën prestigjioze BMC Oral Health në Q1, e cila bën pjesë në grupin botues Springer Nature.
Artikulli me titull “Stability, survival and costs of vacuum-formed retainers versus bonded lingual braided rectangular and multistranded round wire retainers in the mandible of orthodontic patients over a two-year period” analizoi efektivitetin, qëndrueshmërinë dhe kostot e tre llojeve të retainer-ëve ortodontikë në mbajtjen e renditjes së dhëmbëve mandibularë gjatë një periudhe dyvjeçare.
Ky studim përfshiu 93 pacientë të moshës 12–21 vjeç, dhe krahasoi tre metoda të ndryshme të mbajtjes së dhëmbëve: retainer-at e formuar me vakum (VFR), telat e rrumbullakët me shumë fije dhe telat e sheshtë të thurur të ngjitur lingualisht. Rezultatet treguan se të tre llojet e retainer-ëve kishin shkallë mbijetese të ngjashme, ndërsa VFR rezultoi të kishte kosto 21–23% më të ulëta krahasuar me retainer-at fikse, një gjetje me rëndësi praktike për vendet me burime të kufizuara.
Analiza gjithashtu tregoi se pacientët raportuan kënaqësi të barabartë me të gjitha llojet e retainer-ëve, ndërsa ndryshimet në renditjen e dhëmbëve ishin minimale dhe brenda kufijve të pranueshëm klinikisht. Studimi përfshiu gjithashtu një analizë të detajuar të kostove, duke përfshirë shpenzimet direkte për materiale, kohën e stafit dhe shërbimet laboratorike, duke ofruar një perspektivë të plotë mbi efektivitetin ekonomik të metodave të ndryshme të mbajtjes ortodontike.
Ky punim është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet UBT-së, Universitetit të Zagrebit dhe Orthonova Clinic në Zagreb, Kroaci, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e stomatologjisë dhe ortodoncisë. Studimi është i hapur për publikun dhe mund të gjendet në versionin elektronik të revistës BMC Oral Health në Q1.
