Profesoresha e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Dr. Blertë Zylfiu – Latifi, ka publikuar punimin shkencor me titull “Kosovar Dentists’ Knowledge on Oral Cancer” në revistën ndërkombëtare Journal of Stomatology (Poloni). Artikulli është botuar në vëllimin 78, numrin 3 të vitit 2025 dhe është i qasshëm në format Open Access përmes DOI.
Ky studim ka për qëllim të vlerësojë nivelin e njohurive të dentistëve kosovarë për kancerin oral, duke u fokusuar në njohuritë diagnostike, faktorët e rrezikut dhe aftësitë për identifikimin e lezioneve të hershme. Hulumtimi është zhvilluar me 147 dentistë të përfshirë në programet e specializimit në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK), dhe ka arritur një përgjigje prej 93.19% nga pjesëmarrësit.
Rezultatet tregojnë se dentistët specializantë në Kosovë kanë një nivel mesatarisht të kënaqshëm të njohurive mbi diagnostikimin e kancerit oral, ndërsa vërehet nevoja për arsimim të vazhdueshëm dhe trajnime profesionale në këtë fushë. Studimi thekson rëndësinë e edukimit të dentistëve në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit oral, si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar kujdesin shëndetësor oral në vend.
Punimi është realizuar në bashkëpunim me Dr. Olsa Alku – Latifi, ndërsa është miratuar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës (Ref. Nr. 12, 25.05.2021) në përputhje me Deklaratën e Helsinkit.
Ky publikim përbën një tjetër arritje të rëndësishme për UBT-në, duke dëshmuar angazhimin e stafit akademik në kërkimet shkencore me ndikim ndërkombëtar dhe në përmirësimin e praktikave klinike në stomatologji.