Në një qytet që është në zemër të ndryshimeve dhe përplasjeve urbane, Prishtina po përpiqet të gjejë rrugën e duhur drejt harmonisë urbane. Por, çfarë është në të vërtetë kjo harmoni? Dhe a mund të arrihet ndonjëherë një balancë mes zhvillimit dhe ruajtjes së traditës.
Në çdo qytet, ndodhet një shpirt që mbush dhe u jep jetë hapësirave të tij. Ky shpirt, i njohur si Genius Loci “the spirit of the place”, është ai që krijon lidhjen e thellë mes njeriut dhe vendit ku jeton. Në një qytet si Prishtina, ku zhvillimi i shpejtë është shpesh në kundërshtim me ruajtjen e trashëgimisë, lind një pyetje e natyrshme: Si mund të mbajmë gjallë këtë shpirt qyteti, ndërkohë që përballemi me kërkesat e reja të urbanizimit dhe modernizimit?
Për të kuptuar më mirë se si mund të harmonizojmë këtë dualitet mes traditës dhe modernitetit, kemi intervistuar Shqiprim Ahmetin, Drejtorin e Institutit për Studime Urbane në UBT, një urbanist që ka reflektuar thellësisht mbi këto dilema. Ky diskutim është një përpjekje për të gjetur rrugët që mund të udhëheqin Prishtinën drejt një zhvillimi që respekton historinë e saj, por që gjithashtu i përgjigjet nevojave të një shoqërie që po rritet dhe po zhvillohet. Disa mund të thonë se kaosi është i pashmangshëm në qytetet moderne, por ndoshta është një kaos që mund të drejtohet dhe që mund të na mësojë diçka të vlefshme për ardhmërinë tonë!
Por çfarë është, në të vërtetë, sfida e këtij zhvillimi urban? “Problemi është shumë më i thellë se sa të pasurimi i infrastrukturës me mbështetje teknike,” shprehet Ahmeti. Ai argumenton se mënyra e tanishme e menaxhimit të kërkesave , ku ne përpiqemi të mbulojmë boshllëqet ekzistuese, pa një plan afatgjatë është e pamjaftueshme dhe krijon një kaos të vazhdueshëm. Pra, duhet të ndryshojmë mënyrën se si e shohim zhvillimin urban. A mund të menaxhohet ky zhvillim pa e ndryshuar mënyrën se si konceptojmë qytetin?
Për ta sqaruar, Ahmeti thekson se aktualisht, të gjitha institucionet janë duke u përpjekur që t’i përgjigjen kërkesës ekzistuese dhe të mbishtresuar për infrastrukturë dhe shërbime të tjera, ndërsa mungojnë kapacitetet për t’iu përgjigjur gjithë asaj kërkese në një afat optimalisht të shkurtër. Në anën tjetër, përderisa institucionet me gjithë kapacitetet e mangëta mundohen t’u përgjigjen kërkesave vetëm pjesërisht, vazhdimisht kemi shtim dhe paraqitje të kërkesave të reja. Rrjedhimisht, kërkesës së mbishtresuar për disa vite e madje dekada, i shtohet edhe kërkesa e re emergjente që shfaqet përderisa institucionet përpiqen t’u japin përgjigje apo t’i adresojnë kërkesat e vjetra.
“Për shembull, përderisa një qytet ka 100,000 banorë, ndërsa për 10 vitet e ardhshme ka kapacitete infrastrukturore dhe investive vetëm për gjysmën e atij numri të banorëve dhe paralelisht me këtë, numri i banorëve vazhdon të rritet në mënyrë të pakontrolluar, ai qytet/ajo komunë do të mbetet në kaos, edhe sikur t’i realizojë të gjitha investimet e planifikuara në infrastrukturë. Kjo sepse, në fund të planit 10-vjeçar të investimeve, komuna do të duhej të përmbushte nevojat dhe kërkesat e të paktën gjysmës së numrit të banorëve fillestarë (100,000), por, me rritjen e pakontrolluar të popullsisë, komuna përfundon duke mos mundur të ofrojë asnjë mundësi të nevojshme infrastrukturore dhe shërbimesh për më shumë se të themi 30-40% të banorëve. Në këtë mënyrë, problemi dhe sfida do të komplikohet edhe më shumë, dhe assesi do të zgjidhet”, reflekton Ahmeti.
Në këtë pikë, Ahmeti argumenton për një filozofi të re të zhvillimit të qytetit. Ai flet për “diktimin dhe dirigjimin e kërkesës” përmes planifikimit afatgjatë dhe strategjik, duke marrë si shembull Planin për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Kopenhagës, i njohur si Five Finger Plan. Ky plan është një model i zhvillimit të infrastrukturës që orienton qytetin sipas nevojave të projektura dhe jo të reaktuara sipas nevojave spontane të popullsisë.
Në një botë të mbushur me kaos urbanistik dhe kërkesa të paemërta, duhet të përqafojmë një model ku infrastruktura zhvillohet dhe rritet në përputhje me vizionin dhe planifikimin e qytetit. Kjo mund të duket si një idealistike, por për Ahmetin, kjo është e mundur. “Kjo është ajo që duam të arrijmë,” përfundon ai, “një qytet që zhvillohet sipas një plani të qartë, që kontrollon kërkesën dhe zhvillimin, dhe që siguron një cilësi jetese të qëndrueshme për të gjithë qytetarët.”
Në epokën e globalizimit dhe përparimeve të shpejta teknologjike, pyetja e ndërtimit të qyteteve të reja është një kërkim i thellë për kuptim dhe qëllim. A është e mundur të ndërtosh një qytet të ri pa humbur kujtesën e tij kolektive dhe trashëgiminë?
Profesori Ahmeti ofron një përgjigje filozofike dhe thelbësore, duke theksuar se qyteti është shumë më tepër se thjesht një mbledhje ndërtesash dhe rrugë. “Një qytet është një trup që mbart kujtesën kolektive të atyre që e banojnë, është një pasqyrë e kohës dhe e historisë së vet. Arkitektura, si një formë artistike dhe funksionale, është shprehja e botëkuptimit të një shoqërie, dhe çdo ndërtim i ri duhet të ruajë këtë pasuri të pashembullt”, shprehet ai.
Megjithatë, ndërsa zhvillimi urban shpesh shtyn përpara për të përmbushur nevojat e një shoqërie që është gjithnjë në ndryshim, profesori e bën të qartë se humbja e “Genius Loci” – shpirtit të qytetit, është një rrezik i madh. “Nëse nuk e ruajmë atë që na bën të veçantë, rrezikojmë të krijojmë një qytet të paidentifikueshëm, një makinë e ftohtë që funksionon në mënyrë mekanike, por që ka humbur lidhjen me historinë e tij dhe shpirtin e banorëve të tij”, shton ai.
Më pas, ai reflekton se zhvillimi i qyteteve të reja nuk do të thotë të sakrifikohet e kaluara, por të krijohet një simbiozë e qëndrueshme mes të tashmes dhe të kaluarës. “Qytetet nuk janë thjesht hapësira ku jetojmë, por janë mjedise që na formojnë si individë dhe si shoqëri. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të ndërtosh hapësira që ruajnë trashëgiminë kulturore dhe historike, ndërsa e integrojnë modernitetin në një mënyrë që respekton këtë trashëgimi.”
Prof. Ahmeti argumenton se, megjithëse mund të ndërtohen qytete të reja, është thelbësore që ato të jenë një vazhdimësi e identitetit të shoqërisë dhe jo një ndarje prej tij. “Ideja nuk është të stagnojmë në zhvillim,” thekson ai. “Nuk bëhet fjalë që të mos i zgjerojmë qytetet, të mos i ndjekim trendet dhe frymën e re në arkitekturë, apo të mos shfrytëzojmë përparimin teknologjik për t’i lehtësuar jetën njerëzve. Por, ajo që është thelbësore është të mos humbasim shpirtin tonë (Genius Loci) dhe të mos i nënshtrohemi dinamikës kaotike të ‘përparimit të shpejtë’, i cili shpesh bëhet në dëm të ruajtjes së identitetit dhe trashëgimisë.”
Kjo është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj tendencës së urbanizimit të shpejtë, ku shpesh fokusi është vetëm tek infrastruktura dhe funksionaliteti. Prof. Ahmeti paralajmëron se nëse nuk e mbajmë parasysh rëndësinë e identitetit dhe trashëgimisë, qytetet mund të shndërrohen në prototipe industriale, pa shpirt, pa kuptim dhe të kufizuara vetëm në funksionin e tyre teknik. “Balancimi mes zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit socio-kulturor dhe urban (Genius Loci) është gjithmonë i mundur”, thotë profesori duke ritheksuar se “qyteti është më shumë se thjesht një grumbull ndërtesash dhe rrugë – është një trup që mbart kujtesën e kolektivitetit. Sa herë që e rindërtojmë, duhet të kujtojmë se nuk po krijojmë vetëm hapësira fizike, por edhe lidhje mes atyre që jetojnë aty dhe atyre që kanë jetuar.”
Në përmbledhje, Prof. Ahmeti ofron një vizion të thellë dhe filozofik për zhvillimin e qytetit, duke nënvizuar se ky proces nuk mund të shkojë përpara nëse nuk e ruan unitetin dhe shpirtin e tij. “Qyteti, si një organizëm i gjallë, duhet trajtuar si një sistem tërësor, ku çdo pjesë është e lidhur me tjetrën, pa lejuar që ndarjet fizike, konceptuale dhe funksionale të shkatërrojnë harmoniën e tij. Evolucioni i qytetit duhet të jetë një rritje që i shërben përforcimit të identitetit dhe qenies së tij, dhe jo një shkatërrim i asaj që ka qenë. Nëse ndodh kjo, përparimi është në rrezik të bëhet vetë-shkatërrues, një proces që nuk mund të pranojmë as si individë, as si shoqëri”, përfundon Ahmeti dhe na kujton se qyteti nuk është vetëm një strukturë betoni apo rrugë të ndërlikuara, por një qenie në vete, e ndërtuar nga historia, kujtesa dhe njerëzit që e banojnë!
Prof. Shqiprim Ahmeti, Drejtor i Institutit për Studime Urbane në UBT
Gazetare: Dionesa Ebibi