Forca me ndikim të keq, si Rusia, po përpiqen të ushtrojnë ndikim në Ballkan sepse kanë “interesa strategjike” dhe synojnë të destabilizojnë sistemin e vlerave të BE-së dhe NATO-s, ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për TVP World.
Duke folur në margjinat e Forumit Evropian në Alpbach, të shtunën, Osmani paralajmëroi për rritjen e ndikimit të “trekëndëshit të së keqes” – Rusisë, Kinës dhe Iranit – dhe theksoi sfidat më të ngutshme për Kosovën.
“Shpesh them se kur shohim forca të tilla si Rusia, Kina dhe Irani – ky trekëndësh i së keqes – duke tentuar të ndikojnë në Ballkanin Perëndimor, ata nuk e bëjnë këtë nga bamirësia, por sepse kanë një interes strategjik”, tha Osmani.
Ajo shtoi se për Kosovën problemi më i madh mbetet Serbia. Duke cituar Misionin e Vëzhgimit Evropian, Osmani theksoi se është dëshmuar që Serbia, “e ndihmuar dhe e shtyrë nga Rusia”, ka ndërhyrë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë.
“Sfida jonë më e madhe, siç kam thënë, është fakti se Serbia vazhdon t’i shohë shtetet fqinjë si shtete të përkohshme”, u shpreh ajo, duke e krahasuar këtë qasje me “mentalitetin imperialist dhe hegjemonist të Rusisë”.
Megjithatë, Osmani theksoi se në skenën e madhe politike të Kosovës “nuk ka ndikim rus apo serb, gjithçka është lokale”.
Ajo gjithashtu rikujtoi se Kosova ka synim të qartë integrimin në BE, por mungesa e një shumice parlamentare po e pengon realizimin e projekteve evropiane dhe bashkëpunimin me administratën amerikane.