UBT News

Presidentja Osmani dekoron “Dardanët”: Nderojmë djersën dhe krenarinë që i dhatë çdo shqiptari

Screenshot

Edhe pse ëndrra për kualifikim në Botërorin 2026 u ndal në hapin e fundit, rrugëtimi historik i “Dardanëve” është nderuar në nivelin më të lartë shtetëror. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me mirënjohje Federatën e Futbollit të Kosovës, duke çmuar lart suksesin dhe dinjitetin e treguar gjatë fazës kualifikuese.

Gjatë ceremonisë, Presidentja Osmani u shpreh me fjalë emocionuese për ekipin kombëtar: “Me nderin më të lartë të Republikës së Kosovës, sot dekorojmë ekipin kombëtar të futbollit, një ekip që me përkushtim, disiplinë dhe shpirt të jashtëzakonshëm ka përfaqësuar në mënyrën më të denjë të mundshme shtetin tonë në arenën ndërkombëtare”.

Ajo theksoi se kjo dekoratë vjen si mirënjohje për mundin dhe krenarinë që lojtarët i falën popullit: “Republika e Kosovës e nderon punën, mundin dhe djersën e secilit prej jush. E nderon rezultatin tuaj, por mbi të gjitha krenarinë që i keni dhënë secilit shqiptar, pavarësisht se ku jeton”.

I pranishëm në këtë takim, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, u shpreh krenar me arritjet e grupit që e dërguan Kosovën deri në finalen e “play-off”-it, duke lënë pas shtete me përvojë shumë më të madhe.

Një moment i veçantë ishte deklarata e kapitenit Vedat Muriqi, i cili tregoi se sa i madh ishte besimi brenda skuadrës. Muriqi pranoi se ndjehet keq për mungesën e kualifikimit, duke zbuluar se ishte aq i bindur për suksesin sa nuk kishte rezervuar as biletë kthimi, me shpresën se rrugëtimi do të vazhdonte drejt Amerikës.

Megjithatë, ai dha një mesazh të fuqishëm për të ardhmen: “Jam shumë krenar për punën që kemi bërë si ekip. Kosova ka lojtarë të rinj me shumë potencial dhe po vjen koha e artë në futboll”.

 

Exit mobile version