Ukraina, fituesja edicionit të sivjetmë të “Eurovisionit”, shpreson që një ditë të jetë nikoqire e këtij festivali në qytetin e Mariupolit, tha të dielën presidenti i vendit.
Ukraina triumfoi në edicionin e 66-të të konkursit të këngës “Eurovision”, që u mbajt në Itali, pasi Mbretëria e Bashkuar përfundoi e dyta, Spanja e treta dhe Suedia e katërta. Kjo është hera e tretë që Ukraina triumfon në këtë kompeticion.
E nxitur nga një valë mbështetjeje nga publiku evropian, i cili votoi përmes telefonit, kënga “Stefania” e realizuar nga Orkestra Kalush, fitoi konkursin mes konkurrencës së ashpër nga Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Suedia.
“Guximi ynë i bën përshtypje botës, muzika jonë pushton Evropën! Vitin e ardhshëm Ukraina do të presë “Eurovisionin”! Për herë të tretë në historinë e saj dhe unë besoj, jo e fundit. Ne do të bëjmë çmos që një ditë të presim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e “Eurovisionit” në Mariupol të Ukrainës. Të lirë, paqësor, të rindërtuar. Jam i sigurt se korda jonë fitimtare në betejën me armikun nuk është larg”, tha Volodymyr Zelensky në Telegram.
Pas performancës së grupit fitues, këngëtari kryesor i tij, Oleh Psiuk, bërtiti nga skena: “Ju lutemi ndihmoni Ukrainën, Mariupol. Ndihmoni Azovstalin tani”.
Në një video të publikuar para ngjarjes së shumëpritur, Zelensky tha se ai besonte se Orkestra Kalush mund të fitonte, duke i bërë thirrje Evropës që të mbështeste këngën ukrainase në konkursin e “Eurovisionit”.
Ukraina kishte fituar tashmë “Eurovisionin” në vitin 2004 me këngën “Wild Dance” nga Ruslana dhe në vitin 2016 me këngën “1944” nga Jamala, duke u bërë kombi i parë i Evropës Lindore që fitoi dy herë konkursin.
Ukraina ishte një nga më të preferuarat për ta fituar këtë kompeticion që nga fillimi i edicionit 2022, pasi trupat ruse pushtuan vendin në 24 shkurt.
Një ditë pas pushtimit, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili zotëron të drejtat e “Eurovisionit”, njoftoi se Rusia do të ndalohet nga edicioni i sivjetshëm.
Kënga fituese, e cila është përzierje e rap-it me muzikën popullore ukrainase, u shkrua fillimisht për të nderuar nënën e drejtuesit të grupit dhe u është dedikuar të gjitha nënave në Ukrainë. Disa pjesë të tekstit rrëfejnë për konfliktin që e la vendin e shkatërruar./UBTNews/