Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq tha se Bashkimi Evropian duhet ta miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe t’i japë shtysë shtesë procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.
Në një intervistë për TV21 të Shkupit, Gjukanoviq tha se ai është i mendimit se BE-ja duhet t’i fillojë negociatat me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Liberalizimi i vizave duhet t’i jepet Kosovës dhe një shtysë shtesë në procesin e negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë”, tha Gjukanoviq.
Ai gjithashtu vuri re se vonesa në zgjerimin e Bashkimit Evropian, kur ishte radha e Ballkanit Perëndimor, lë hapësirë për ndikimin e palëve të treta.
“Për fat të keq, ato palë të treta po veprojnë nga platforma që janë kundër interesave thelbësore evropiane dhe kjo sjell konfuzion shtesë në politikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Gjukanoviq.
Sipas tij, tani jemi dëshmitarë të ideve të rinovuara në lidhje me rikompozimin e Ballkanit Perëndimor.
Ai shtoi se këto ishin idetë nga fillimi i viteve 1990, kur idetë e formimit të tri shteteve të mëdha të Ballkanit Perëndimor funksiononin ende.