UBT News

Politikat institucionale dhe praktikat artistike në fokus të diskutimit në Ditët e Artit dhe të Dizajnit në UBT

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Medias Digjitale në UBT organizoi panelin me temë “Politikat Institucionale dhe Praktika Artistike”, një aktivitet që mblodhi artistë, përfaqësues institucionesh kulturore, restauratorë dhe studentë për të diskutuar mbi sfidat dhe zhvillimet e artit bashkëkohor në Kosovë dhe më gjerë.

Aktiviteti u mbajt në Bibliotekën e Kampusit Inovativ të UBT-së në Lipjan, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave mbi funksionimin e institucioneve të artit, proceset e aplikimit, koleksionet publike, konservimin e veprave artistike dhe raportin ndërmjet artistit dhe institucioneve kulturore.

Dekania e Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Ariana Gjoni, në fjalën hapëse vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla për studentët dhe komunitetin artistik, duke potencuar se UBT vazhdon të krijojë hapësira të nevojshme për debat profesional dhe zhvillim kreativ.

Të ftuara në panel ishin edhe Alisa Gojani-Berisha, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe Arlinda Hajrullahu, drejtoreshë e Muzeut të Artit Bashkëkohor, të cilat ndanë përvojat e tyre mbi menaxhimin institucional të artit dhe zhvillimin e politikave kulturore.

Pjesë e diskutimit ishte edhe restauratorja dhe konservatorja me përvojë ndërkombëtare, Elena Prieto Bello, e cila foli mbi rëndësinë e konservimit të trashëgimisë artistike dhe sfidat profesionale në këtë fushë.

Ky aktivitet u organizua nga profesori Burim Berisha, në kuadër të aktiviteteve të shumta që po zhvillohen gjatë Ditëve të Artit dhe të Dizajnit në UBT, me fokus promovimin e dialogut ndërdisiplinar, artit bashkëkohor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Exit mobile version