Policia Rajonale në Ferizaj apelon te shoferët e automjeteve që të bëjnë kujdes gjatë drejtimit në mot me mjegull. Sipas Policisë, ka filluar shfaqja e mjegullës në vendet ku pozita gjeografike është më e ulët.
“Më konkretisht Policia Rajonale e Ferizajt, përmes kësaj komunikate i rekomandon shoferët e automjeteve që Mos harroni se ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme. Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve. Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe. Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. Mbani vëmendjen, mos shpejtoni. Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë. Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët tjerë t’ju shohin. Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës. Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes. Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes”, thuhej në komunikatën e policisë.