UBT News

Plenkoviq nga OKB-ja kritikon Serbinë: Glorifikimi institucional i Mlladiqit, fyerje ndaj viktimave

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka dënuar ashpër nderimet zyrtare që Serbia po i bën të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq. Plenkoviq i cilësoi këto veprime si fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, duke nënvizuar se pajtimi në Evropë kërkon përballje reale me të kaluarën dhe ndaljen e lartësimit të kriminelëve nga ana e institucioneve.

“Pajtimi në Evropë kërkon përballjen me krimet e së kaluarës, respektimin e viktimave dhe refuzimin e glorifikimit institucional të autorëve të krimeve”, deklaroi Plenkoviq para përfaqësuesve botërorë.

Kreu i qeverisë kroate rikujtoi sulmet e urdhëruara nga Mlladiqi mbi qytetet kroate, vrasjet e civilëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës e trashëgimisë kulturore, duke theksuar se këto mizori kulmuan me gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995. Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Bosnje-Hercegovinë.

Gjatë fjalimit të tij në Nju Jork, Plenkoviq u ndal edhe te situata në Lindjen e Mesme, ku bëri thirrje për zbatimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve dhe garantimin e ndihmës humanitare në Gaza. Ai ritheksoi mbështetjen e Kroacisë për një zgjidhje të negociuar me dy shtete, me qëllim që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe dhe siguri.

 

Exit mobile version