UBT News

Plagoset me armë zjarri një zyrtar policor në Tiranë

Një zyrtar policor ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri mesnatën e mbrëmshme në zonën e Shkozës në Tiranë. Viktima është identifikuar se  është Anxhelo Kumaraku, rreth 30 vjeç, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej jashtë detyrës zyrtare, raporton Euronews Albania.

Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10, në rrethana ende të paqarta. 30-vjeçari është transportuar menjëherë në spital dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas marrjes së lajmit, autoritetet policore kanë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po kryejnë kërkime intensive në tërë zonën për kapjen e autorit apo autorëve të përfshirë në këtë sulm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), të cilët nën drejtimin e Prokurorisë po punojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave, identifikimin e personave përgjegjës dhe dokumentimin ligjor të rastit. /Euronews Albania/

Exit mobile version