UBT News

Pirc Musar: Së pari, do të vizitoj rajonin e Ballkanit Perëndimor

Presidentja e re e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, tha sot se do të zgjedhë vendet e Ballkanit Perëndimor për udhëtimin e saj të parë jashtë vendit, duke thënë se është veçanërisht e shqetësuar për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Pirc Musar i tha Radio Sllovenisë se zgjedhja e saj e parë do të ishte të vizitonte Gjermaninë, partnerin kryesor tregtar të Sllovenisë, por se ngjarjet e fundit në Ballkanin Perëndimor e bënë atë të ndryshojë mendje.

Presidentja, në intervistën e parë të madhe pas zgjedhjeve, tha se ajo e konsideron Slloveninë si një “dritare dhe derë drejt BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, njoftoi agjencia e lajmeve STA.

Pirc Musar theksoi se si presidente do të flasë sa herë që ta gjykojë të nevojshme, por se nuk do të përzihet vazhdimisht në politikën ditore.

Presidentja e re e Sllovenisë ka thënë se do të ketë një këshilltar për ndryshimet klimatike, kryesisht për shkak se kjo çështje u ngrit nga të rinjtë gjatë fushatës së saj zgjedhore.

Pirc Musar theksoi se para inaugurimit synon të tërhiqet nga posti i drejtoreshës së zyrës së saj të avokatisë.

Ajo nesër do të zhvillojë takimin e parë joformal me presidentin në largim Borut Pahor dhe pas dhjetë ditësh do të shpallen rezultatet zyrtare të zgjedhjeve.

Pirc Musar është gruaja e parë që mban presidencën në Slloveni.

Exit mobile version