Një serbe nga Mitrovica, A. M., dhe partneri i saj, J. I., pilot në Forcat Ajrore të Kroacisë, janë arrestuar më 25 korrik në ishullin Vis, nën dyshimin për spiunazh në favor të Serbisë dhe Listës Serbe. Hetimi ndaj tyre është kryer nga policia kroate në bashkëpunim me Europolin.
Sipas burimeve të gazetës kroate Index, dyshohet se piloti kroat i ka siguruar partneres së tij informacione konfidenciale, të cilat ajo më pas i ka përcjellë tek Lista Serbe. Hetuesit po ashtu dyshojnë se informacionet përfshinin detaje mbi lëvizjet e trupave ndërkombëtare dhe të komunitetit serb në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022, si dhe të dhëna të ndjeshme lidhur me komunën e Zubin Potokut.
Çifti akuzohet gjithashtu për shkëmbim informacionesh lidhur me transferimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar në dhjetor 2022 për sulme ndaj zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.
A. M., e cila ka punuar më parë për kompani private në Serbi dhe si reportere nga Mitrovica, dyshohet të ketë vepruar si ndërmjetëse në përcjelljen e informacionit tek Lista Serbe. Partneri i saj, J. I., ka shërbyer si pilot helikopteri edhe në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe dyshohet se ka zbuluar informacion të klasifikuar lidhur me lëvizjet e trupave ndërkombëtare dhe të komunitetit serb në veri.
Gjykata e Qarkut e Splitit ka vendosur nga një muaj paraburgim për pilotin kroat dhe të dashurën e tij, serbe nga Kosova të cilët akuzohen për spiunazh. Hetuesit kanë siguruar komunikime të shumta në telefonat e tyre që dyshojnë se lidhen me aktivitetet e spiunazhit dhe i kanë bashkëngjitur si prova në hetim.
Reagime politike në Kroaci
Rasti ka tronditur opinionin kroat dhe ka ngjallur shqetësime për sigurinë kombëtare. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen, Arsen Bauk, në mediumin kroat RTL, e cilësoi këtë si “një problem serioz sigurie” duke shtuar se hetimi do të tregojë përmasat e plota të rastit.
Ndërkohë, Sandra Bençiç, anëtare e Komisionit për Siguri Kombëtare, theksoi për mediumin Novu TV, se ky rast do të trajtohet patjetër nga institucioni që ajo përfaqëson:
“Po flasim për akuza shumë të rënda. Në këto kohë, pavarësisht ndasive politike, të gjithë kemi një qëllim të përbashkët: sigurinë e qytetarëve tanë, të vendit dhe të misioneve ku marrim pjesë”.