Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga New York-u lidhur me masën e “arrestit shtëpiak” të vendosur nga SPAK-u ndaj drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, duke njoftuar lirimin e saj të menjëhershëm nga detyra.
Hyseni po hetohet nga SPAK-u nën dyshimet për zbulim të sekretit shtetëror, ndihmë ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si dhe për përfshirje në skandalin e korrupsionit me tenderët 59-milionësh të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Lidhur me këto akuza, Rama theksoi se çdo dyshim i organit të akuzës duhet të hetohet e të zbardhet deri në fund përmes një procesi të pavarur gjyqësor, duke nënvizuar se asnjë zyrtar nuk është mbi ligjin.
“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, ka shkruar Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi se pavarësia e organeve të drejtësisë është një rrugë pa kthim dhe se fajësia apo pafajësia mbetet përgjegjësi individuale e çdokujt para gjykatës.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur, qëndrimi im mbetet i njëjtë: kjo shumicë nuk bën avokatinë e askujt”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, Rama kritikoi reagimet e opozitës dhe medias, duke e quajtur të pashmangshme që çdo hetim ndaj personave publikë të kthehet në “gjyq mesjetar” përpara se gjykata të thotë fjalën e saj përfundimtare.
