UBT News

Pesë libra të rekomanduar nga Bill Gates

Si një lexues pasionant, Bill Gates ka përzgjedhur pesë libra që ofrojnë një këndvështrim ndryshe për çështje globale, si ndryshimet klimatike, arsimi dhe barazia gjinore.

Bashkëthemeluesi i “Microsoft” dhe anëtar udhëheqës i Fondacionit “Bill & Melinda Gates”, është i njohur si adhurues i leximit, thuhet se ai lexon rreth 50 libra në vit dhe gjatë pushimeve merr me vete një çantë me libra. Gates inkurajon të rinjtë që duan të lënë ndikim pozitiv në botë, të zhvillojnë zakone leximi dhe të gjejnë një pasion që i përmbush.

“Çdo libër më mëson diçka të re ose ofron një këndvështrim ndryshe. Kam qenë me fat që kam pasur prindër që më inkurajuan të lexoj. Kjo më rriti kureshtjen për botën, diçka që besoj më ndihmoi si në karrierën time ashtu edhe në punën me fondacionin tim,” tha ai për revistën amerikane Time.

Që nga 2020, kur u largua nga bordi drejtues i “Microsoft”, ai i është përkushtuar veprimtarive filantropike, duke u përqendruar në çështje globale kritike, si ndryshimet klimatike, shëndeti global dhe arsimi. Ja pesë librat që ai rekomandon në blogun e tij personal, Gates Notes.

Not the End of the World – Hannah Ritchie – Në konferencën e OKB-së për ndryshimet klimatike, liderë nga sektori publik, privat dhe shoqëror diskutojnë mënyra për të përshpejtuar përpjekjet ndaj krizës klimatike. Një nga librat që rekomandon Gates, “Not the End of the World” nga Hannah Ritchie, është aktual. Sipas tij, është më e lehtë për njerëzit të ndjekin zhvillimet për ndryshimet klimatike sesa të kuptojnë tendencat afatgjata. Libri, ofron perspektivë për krizën, duke treguar përparimet që ka arritur njerëzimi në: Uljen e vdekshmërisë e përmirësimin e qasjes në burime bazë, sfidon narrativën “katastrofike” për ndryshimet klimatike. Autorja sugjeron zgjidhje për të vazhduar përballjen me probleme klimatike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim mes vendeve të pasura e të varfra.

The Power – Naomi Alderman – Romani fantastiko-shkencor i Alderman, i rekomanduar Gates-it nga vajza Jennifer, thellohet në atë që ndodh kur gratë fitojnë aftësinë për të prodhuar dridhje të fuqishme elektrike nga trupat. Romani tregon si bota bie pre e trazirave shoqërore të dhunshme, në vend që të shkojë drejt shoqërisë që përqafon barazinë gjinore.

How to Know a Person – David Brooks – Si person introvert, Gates e gjeti librin e Brooks interesant e të dobishëm. Libri propozon një mënyrë njerëzore jetese, duke i inkurajuar lexuesit të angazhohen në ndërveprimet e përditshme, të bëjnë pyetje reflektuese e të dëgjojnë me interes të sinqertë atë që të tjerët duan të ndajnë. Ai vë theksin në rritjen e ndjenjës së vetmisë dhe si shkëputja në epokën digjitale çon në ndarje shoqërore dhe politike, duke treguar se marrëdhëniet e vërteta janë më të rëndësishme nga sa mendojmë.

Brave New Words – Salman Khan – Arsimtari Salman Khan, themelues i “Khan Academy”, platformë arsimore jo fitimprurëse me mbi 150 milionë nxënës në botë, analizon se si inteligjenca artificiale revolucionarizon arsimin, duke ofruar përvoja mësimi të personalizuara e krijuese. Khan thekson se inteligjenca artificiale transformon arsimin duke u mundësuar mësuesve të kalojnë më shumë kohë duke ndërtuar marrëdhënie me nxënësit. Ai pranon sfida si mbrojtja e privatësisë së nxënësve dhe sigurimi i qasjes në teknologji për të gjithë.

Infectious Generosity – Chris Anderson – Në librin “Infectious Generosity, Chris Anderson”, krijues i organizatës jofitimprurëse “TED”, analizon sfidat e filantropisë në epokën dixhitale. Autori pranon se teknologjia e komunikimit është “thikë me dy presa”, lidh njerëzit, por mund t’i largojë përmes dezinformimit. Gates e konsideron angazhimin e autorit për krijimin e një bote më humane e frymëzuese, edhe pse pranon se disa nga propozimet janë të vështira për t’u zbatuar. /UBT News/

Exit mobile version