Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Izraelit, Ran Ben Shimon, ka vlerësuar lart cilësinë e Kosovës në prag të përballjes së sotme në Ligën e Kombeve, e cila zhvillohet në Debrecen të Hungarisë nga ora 20:45.
Izraeli ndodhet nën presion të madh për të marrë pikët e para në këtë edicion, pas dy humbjeve radhazi ndaj Austrisë dhe Irlandës. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Ben Shimon tregoi se pas analizës së gabimeve të vetes, stafi teknik ka studiuar me kujdes lojën e “Dardanëve”.
“Në ditët e para u përqendruam te vetja, se si të rikuperohemi dhe çfarë bëmë gabim. Më pas, vëmendjen e zhvendosëm te Kosova dhe avantazhet e saj,” deklaroi Ben Shimon.
Tekniku izraelit e cilësoi Kosovën si një nga përfaqësueset më cilësore të grupit.
“Ata janë një ekip me cilësi shumë të lartë, ndoshta më i miri në shtëpi së bashku me Austrinë. Ne presim një ndeshje të vështirë dhe komplekse, të cilën do të donim shumë ta fitonim.”
Ndeshja e sotme ka rëndësi të veçantë për të dyja taborët: Kosova kërkon të ngjitet në kuotën e 6 pikëve pas fitores me Irlandën dhe humbjes me Austrinë, ndërsa Izraeli synon me çdo kusht të dalë nga kriza e rezultateve. /E.A/
