Sot mbushen 118 vjet nga lindja e akademikut të shquar Eqrem Çabej, i cili u lind në Eskishehir të Turqisë. Pasi kreu studimet fillore në Gjirokastër dhe të mesmet në Klagenfurt, ai braktisi mjekësinë në Romë për t’u përkushtuar në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Gracit dhe më pas në atë të Vjenës, ku edhe u diplomua.
Me të u kthyer në atdhe, Çabej kontribuoi si arsimtar në gjimnazin e Shkodrës, Shkollën Normale të Elbasanit, Liceun e Tiranës, si dhe shërbeu për një periudhë të shkurtër pranë Ministrisë së Arsimit.
Gjatë karrierës së tij, ai nisi punën madhore për hartimin e Atlasit Gjuhësor të shqipes, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore shërbeu si anëtar i Institutit të Shkencave, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Integriteti i tij i lartë intelektual u dëshmua edhe kur dha dorëheqjen nga Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare.
Si studiues poliedrik në leksikologji, gjuhësi historike, dialektologji e etimologji, Çabej mbetet i njohur për botimin kritik të “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe. Sot mbushen po ashtu 46 vjet nga ndarja e tij nga jeta, prapa të cilës la një trashëgimi të paçmueshme për kulturën kombëtare. /E.A/
