Policia në Shqipëri ka arrestuar një 69-vjeçar në fshatin Karakavec të Përrenjasit, nën dyshimin se ka lyer me lëndë djegëse dhe i ka vënë flakën bashkëshortes së tij pas një konflikti në familje.
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve, i dyshuari Gani Danga ka lyer me benzinë gruan e tij 67-vjeçare. Viktima është transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Elbasanit për ndihmën e parë mjekësore dhe më pas është dërguar në repartin e djegieve në Tiranë. Burimet spitalore kanë bërë të ditur se ajo aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e para të hetimit rezulton se dhuna në këtë familje kishte qenë e përsëritur, teksa viktima ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje përgjatë tre muajve të fundit.
Policia ka kryer arrestimin e të dyshuarit menjëherë pas ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. /Euronews/ /E.A/
