Në ditët e fundit, tensionet politike në Shqipëri janë shoqëruar me protesta dhe përplasje para Kuvendit, ku sot u mbajt seanca plenare, me Reformën Territoriale në qendër të diskutimeve.
Partia Demokratike kishte paralajmëruar protestë kombëtare për të kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për shtimin e numrit të bashkive. Në tubim morën pjesë edhe protestuesit që prej më shumë se katër muajsh dalin çdo natë në bulevard, por si grup i veçantë nga mbështetësit e PD-së.
Për të garantuar rendin, Policia kishte shtuar numrin e efektivëve përreth Kuvendit. Që në nisje të seancës u shënuan përplasjet e para, pasi protestuesit shtynë fizikisht policët në përpjekje për të çarë kordonin dhe për t’iu afruar hyrjeve të institucionit.
Policia përdori sprej lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve dhe normalizimin e situatës. Gjatë protestës u regjistrua edhe një incident mes dy personave, ku një burrë goditi me shuplakë një të ri.
Protestuesit bllokuan gjithashtu disa akse rrugore. Disa deputetë të PD-së tentuan të negociojnë me policinë për të lejuar vazhdimin e protestës, por tubuesit nuk arritën të kalonin përtej kordonit policor.
Në shenjë revolte, protestuesit u vunë flakën koshave të mbeturinave./TCH/A.K/
