Mbrëmë është përmbyllur edicioni i sivjetmë i “Sunny Hill Festival”, i cila për tri ditë me radhë nga 31 korriku deri më 2 gusht e shndërroi Parkun e Festivalit në Bërnicë në qendrën e energjisë, muzikës dhe festës. Me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra artdashësve dhe performancave nga emrat më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare e asaj vendore, festivali përmbushi pritshmëritë e organizatorëve për të mirëpritur mbi 100 mijë pjesëmarrës gjatë tërë edicionit.
Nata e parë (31 korrik) mbërriti kulmin me ngjitjen në skenë të superyllit botëror, Katy Perry. Rreth orës 22:30, skena kryesore shpërtheu nga dritat dhe energjia, ndërsa zona përballë saj ishte e stërmbushur me publikun që po e priste me padurim artisten amerikane. Perry bëri një dalje spektakolare dhe e ndezi atmosferën që në momentet e para duke u përshëndetur me turmën: “Përshëndetje Prishtinë. A jeni shqiptarë, a do të festoni me mua?”. Në skenën kryesore dhe skenat e tjera performuan gjithashtu emra të njohur si Dhurata Dora, Manifest, Blanco, Sahati, Salomé Le Chat, Seth Troxler, Tommy Gold, La Fazani, Ilo, Ereza, Jolle, Caboo, Sindicato Del Baile, Malix dhe Uran B..
Nata e dytë (1 gusht) solli një tjetër emër madhështor të skenës ndërkombëtare, këngëtarin e njohur Lewis Capaldi, i cili interpretoi hitet e tij më të mëdha përpara mijëra adhuruesve. Përveç tij, skenat elektrizuan edhe artistët e njohur si Esdeekid, Auxlua, Lumi B, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Buta, Eko, Kamelia, Pawsa, Gjin, Asgjë Sikur Dielli, Bana Zahiti, Rreze, Hawolf, Deezy, Locky, Halfpint dhe Artssassin.
Atmosferës elektrizuese të edicionit të sivjetmë i dha vulën në natën e tretë (2 gusht) rikthimi i një prej DJ-ve më të njohur në botë, Martin Garrix. Ylli holandez, i cili është shpallur pesë herë numri një në botë dhe ishte pjesë e “Sunny Hillit” që në edicionin e parë në vitin 2018, u rikthye për të dhuruar spektakël me hitet e tij globale si “Animals”, “Scared to be Lonely” dhe “In the Name of Love”. Në këtë natë përmbyllëse performuan edhe Tyson O’Brien, Roya, Bees & Honey, Kim Turnbull, Adam Port & Rampa, Carlita, Sytë, The Milk Snatchers, Sancet, Disco Magic Band, Caboo, Us Two B2B Nautica, Us Two, Nautica dhe Anitë.
Përgjatë tri netëve, me një gërshtim të përkryer mes emrave me famë botërore dhe artistëve më të pëlqyer lokalë, “Sunny Hill Festival” dëshmoi edhe një herë statusin e tij si ngjarja më e madhe kulturore e muzikore në rajon. /E.A/
