Albumi i këngëtares i cili po realizohet vite pas vdekjes së saj përmban Chris Brown dhe artistë të tjerë të akuzuar për abuzim.
Pas gati një dekade, fansat e këngëtares Aaliyah pa dyshim do të jenë të emocionuar që do të kenë katalogun e saj në platformat e transmetimit. Albumi i ri i saj është titulluar “Unstoppable”.
Hankerson zbuloi se albumi i ri do të publikohej këtë muaj dhe konfirmoi të ftuarit në album si Chris Brown, Snoop Dogg, Future, Ne-Yo dhe Drake. Në fund të vitit të kaluar, u shfaq edhe një bashkëpunim i ri me The Weeknd, i titulluar “Poison”.
Lista e të ftuarve në album ka ngjallur shumë reagime dhe kritika në mediat sociale, ku fansat ankohen për praninë e atyre që ishin të akuzuar për abuzim. Chris Brown sulmoi dhunshëm ish të dashurën e tij, këngëtaren e njohur Rihanna, ndërsa Ne-Yo ka qenë gjithashtu i akuzuar për keqtrajtim të grave.
Aaliyah ishte dikush që vet përjetoi abuzim. “Never No More”, nga albumi i saj i vitit 2001, trajtonte shqetësimin psikologjik të dhunës në familje.
Reperi R. Kelly kohët e fundit u shpall fajtor për të gjitha akuzat në gjyqin e tij për shantazh dhe trafikim seksual – mes tyre ishin edhe kontaktet intime me të miturën Aaliyah, për të cilat ai rrëfeu vet. Ky pranim i fajit erdhi gati tre dekada pasi dyshja u supozua se ishin martuar në një ceremoni të paligjshme kur Kelly ishte 27 vjeç dhe Aaliyah ishte 15.
Megjithatë Hankerson u mundua të arsyetoj artistët e ftuar. “Disa nga njerëzit që pëlqeu Aaliyah janë në album. Ajo e donte Snoop Dogg”, tha ai në një intervistë me Billboard. “Ne-Yo na dha një këngë të shkëlqyer, gjithashtu edhe Drake” shtoi ai.
Megjithatë përzgjedhja e të ftuarve duket e çuditshme duke pasur parasysh se shumë prej tyre fituan vëmendje vite pas vdekjes së këngëtares.
Në vitin 2001, vitin që ajo ndërroi jetë, Drake ishte 15 vjeç dhe sapo kishte filluar karrierën e tij televizive, ndërsa Future filloi të publikonte këngë vetëm në vitin 2010. Ne-Yo u bë i njohur me këngën “So Sick” në vitin 2006, kurse Weeknd filloi të njihej rreth vitit 2011.
Sipas kritikëve, përfshirja e artistëve që nuk ishin bashkëkohës të Aaliyah është gabim kur ka qenë mundësia për të vënë në pah disa prej artisteve që e kanë nderuar trashëgiminë e saj me muzikën e tyre R&B./UBTNews/