Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka folur për herë të parë gjerë e gjatë për situatën në të cilën Real Madridi dhe Kylian Mbappe kaluan për disa muaj dhe në fund sulmuesi vendosi që ta vazhdojë kontratën me Paris-Saint-Germain.
Majde, ishte raportuar se marrëveshja ishte aq afër sa lojtari po përgatitej për udhëtim drejtë Spanjës, por ndodhi ajo që nuk pritej dhe një kthesë e madhe që bëri Mbappen të mbetet në klubin francez.
Kjo kthesë ndodhi kryesisht për shkak të ndërhyrjes së presidentit të Francës, Emanuel Macron i cili i kërkoi Mbappes që të qëndrojë dhe këtë ndërhyrje e ka pranuar edhe vet Macron para pak ditësh.
Duke parë të gjithë këtë situatë, Perez ka thënë se e mirëkupton vendimin e Mbappes sepse, sipas tij, nuk është e lehtë t’i thuash jo një thirrje të tillë nga ana e presidentit të shtetit.
“Kylian Mbappe nuk më ka zhgënjyer mua. Ai e ka thënë disa herë se ëndërron të luajë për Real Madridin por pastaj në 15 ditë ndryshoi gjithçka për shkak të presioneve politike dhe ekonomike. Nuk ishte e lehtë për Mbappen kur merr telefonatë nga presidenti dhe i kërkon të mos largohet nga klubi. Pastaj oferta marramendëse ekonomike e kështu me radhë. Këto ishin arsyet pse Mbappe ndryshoi mendje”, tha Perez.
I pari i gjigantit spanjoll më tutje nuk e ka mbyllur derën që Mbappe në të ardhmen t’i bashkohet Real Madridit.
“Real Madridi do të jetë gjithmonë i hapur për të blerë lojtarë të cilët e kuptojnë se klubi është mbi të gjithë. Asnjëherë nuk kam thënë se ka mbaruar gjithçka mes nesh dhe Mbappes. Për tre vite gjithçka mund të ndodh”, tha Perez.