UBT News

PDK përshëndet deklaratën e Kuvendit për aktgjykimin në Hagë, kërkon procedim urgjent të projektligjit për Dhomat e Specializuara

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi i Kosovës të deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një deklarate për media, PDK-ja ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen, ndërsa ka kërkuar që hapi i radhës të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga kjo parti javën e kaluar.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Sipas kësaj partie, deklarata e miratuar nga Kuvendi përfaqëson qëndrimin e institucionit, ndërsa miratimi i projektligjit do të përbënte hapin e radhës institucional.

“Deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit. Votimi i ligjit është hapi i radhës për t’i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur”, thuhet më tej në njoftim.

PDK-ja ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e saj lidhur me mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të saj.

“PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj”, përfundon deklarata.

D.L

Exit mobile version