Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media sërish ka kërkuar nga deputetët e të gjitha partive politike që nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të cilët nga fillimviti 2020 po përballen me krizën financiare.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu u shpreh se nesër bëhen 100 ditë prej kur Projektligjin për trusin e kanë dërguar në Kuvend, por trajtimi i tij është shtyrë nga pushteti i Albin Kurtit, sipas tij, me qëllim që të ushtrohet presion mbi deputetët që të mos e përkrahin këtë projektligj.
Ai tha se sipas deklarimeve të djeshme të pasurisë u pa që shumë politikanë përfshirë edhe drejtorin e Fondit Pensional i kanë tërhequr mjetet nga Trusti, dhe se e njëjta nuk duhet t’iu ndalohet qytetarëve.
“Nesër bëhet dita e 100-të prej kur ne kemi dorëzuar Projektligjin për trustin në Kuvend, pushteti i Albin Kurtit në vazhdimësi e ka shtyrë trajtimin e këtij projektligji duke shkel edhe rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës. Kjo shtyrje është bërë me qëllim që të ushtrohet presion mbi deputetët për të mos e votuar një kërkesë të qytetarëve që tu mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti. Derisa miratimi i Ligjit për trustin është shtyrë plot 100 ditë, kriza ekonomike ka shkuar duke u thelluar edhe më shumë. Andaj, si deputetë në emër të PDK-së i ftojmë të gjithë deputetët pa dallim pozitë dhe opozitë që të mbështesin me votë Projektligjin për trusin. Ata janë të zgjedhur me votë të qytetarëve dhe duhet të votojnë për kërkesën e qytetarëve. E kemi parë që shumë politikanë dhe familjarë të vet kanë tërhequr mjete nga Trusti dhe është e pamoralshme që kjo të mos u mundësohet qytetarëve. Kur edhe vetë drejtori i Trustit ka tërhequr mjetet nga trusti atëherë pse kjo tu ndalohet atyre që kanë kursime”, u shpreh ai.
Ai tha se me miratimin e këtij projektligji përfitojnë rreth 700 mijë qytetarë që kanë kursime në Trust, ndërsa propozoi që Qeveria përmes buxhetit të shtetit të mbështesë me nga 100 euro në vazhdimësi rastet sociale, të papunët dhe pensionistët, deri në hartimin e përbashkët të reformës pensionale.
“Edhe Hekuran Murati por edhe Qeveria gjatë kësaj periudhe kohore ka qëndruar vëzhguese e situatës të krizës ekonomike pa ndërmarrë asnjë masë sa i përket edhe inflacionit edhe krizës ekonomike. Ka kontradikta në deklarimet e tij. Ai vetë e ka thënë se inflacioni është i importuar dhe nuk buron nga Kosova. Ekonomistët dhe njohësit e mirë të fushës së ekonomisë këtë tërheqje të parasë e shohin si potencial për zhvillimin ekonomik edhe për bizneset dhe se është fatkeqësi për vendin që në këtë kohë krize kemi një ministër të Financave të paaftë çfarë është Hekuran Murati”, theksoi Haxhiu.
Kurse, anëtarja e kryesisë së PDK-së, Safete Hadergjonajtha se PDK-ja është kundër një qeverisje mashtruese dhe pa alternativë, e cila çdo ditë e varfëron qytetarin e Kosovës.
“PDK është kundër një qeverisjeje mashtruese dhe pa alternativë, jemi kundër një forme të tillë të qeverisjes që çdo ditë e varfëron qytetarin e Kosovës. Në këtë situatë kur Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të lehtësuar jetën e qytetarëve, atëherë ka mbetur e vetmja zgjidhje për qytetarët tërheqja e mjeteve të tyre të kursimit në Fondin e Kursimeve Pensionale. Ne do të donim që Qeveria, kur për çdo ditë ka rritje të çmimeve, të merrte veprime urgjente për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve qoftë përmes rritjes të pagës së të punësuarve… Në rrethana të tilla ne e shohim si të domosdoshme tërheqjen e mjeteve të Trustit, tërheqjen e mjeteve të veta qytetarët në mënyrë që ta tejkalojnë këtë periudhë krize kur Qeveria po rri në shtëpi dhe po jeton fortë e relaksuar dhe pa asnjë ndërhyrje për ta lehtësuar jetën e qytetarëve”, theksoi ai.