BioNTech, kompania e bioteknologjisë e themeluar nga Türeci dhe Şahin në Gjermani, e bërë e njohur më së shumti për vaksinë anti-covid në bashkëpunim me Pfizer, njoftoi qëllimet dhe objektivat e saj të reja për publikun.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Uğur Şahin, ka tregaur se ata po përgatiten të zhvillojnë një vaksinë kundër malaries, e cila prek miliona njerëz në të gjithë botën çdo vit.
Şahin gjithashtu deklaroi se provat e vaksinës do të fillojnë në fund të vitit 2022.
“Përgjigja jonë ndaj pandemisë ka demonstruar se si shkenca dhe inovacioni mund të transformojnë jetën e njerëzve kur ata punojnë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët. Ne jemi duke punuar për të sjellë risi tona për ata që kanë më shumë nevojë për të. Së bashku me partnerët tanë, ne duam të zhvillojmë një vaksinë të sigurt dhe efektive të bazuar në mARN për malarjen për të parandaluar sëmundjen dhe për të zvogëluar vdekshmërinë. Qëllimi ynë është të krijojmë një zgjidhje të përhershme për kontinentin Afrikan dhe rajone të tjera të prekura nga kjo sëmundje. ” është shprehur Sahin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paktën 409,000 njerëz në 2019 kanë vdekur nga kjo sëmundje ndërsa numri i të infektuar është 229 milion dhe prek më shumë kontinentin Afrikan.
Fëmijët nën moshën 5 vjeç dallohen si grupi më i prekur në Afrikë.