UBT News

Pas ndarjes nga Brad Pitt, Jolie lë pas përjetë “shtëpinë e kujtimeve” në Francë

Angelina Jolie ka zbuluar se nuk është kthyer më në pronën e saj të njohur në Francë, “Château Miraval”, që prej ndarjes nga Brad Pitt në vitin 2016.

Çifti, i cili kishte qenë bashkë për 12 vjet dhe ishte martuar më 2014, vazhdon të jetë i përfshirë në një betejë të gjatë ligjore për pronësinë e vreshtit, që dikur konsiderohej “zemra e jetës së tyre familjare”.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista People, aktorja ka deklaruar: “I dhashë Bradit kontrollin dhe të drejtën e plotë të qëndrimit në shtëpitë tona familjare në Los Angeles dhe në Miraval, pa asnjë kompensim financiar, me shpresën se kjo do ta bënte më të qetë në sjelljen e tij ndaj meje pas një periudhe të vështirë dhe traumatike.”

Në të njëjtin dokument, 50-vjeçarja thekson se ajo dhe fëmijët nuk janë rikthyer më kurrë në atë pronë, për shkak të kujtimeve të dhimbshme që lidhen me ngjarjet që çuan në divorc.

Jolie shpjegon se pas ndarjes filloi të kërkonte një shtëpi të re për veten dhe fëmijët: “Fillimisht mora me qira një shtëpi, kërkoja një zgjidhje më të qëndrueshme. Doja që Brad të mbetej pjesë e rëndësishme e jetës së fëmijëve, ndaj kërkova të blija një pronë pranë shtëpisë së tij. Në atë kohë, kursimet ishin të lidhura me ‘Miravalin’ e nuk i kisha kërkuar Bradit asnjë mbështetje financiare apo alimentacion.”

Aktorja, e cila është nënë e gjashtë fëmijëve Maddox (24 vjeç), Pax (21), Zahara (20), Shiloh (19) dhe binjakëve Vivienne e Knox (17) – e ka përshkruar vreshtin si një vend me domethënie të veçantë për familjen e saj:

“‘Miravali’ ishte një nga investimet tona të para të mëdha. Ishte qendra e jetës familjare. U martuam atje, kalova pjesë të shtatzënisë atje dhe binjakët tanë i solla në shtëpi nga spitali pikërisht në ‘Miraval’.”

Sipas saj, largimi nga ajo pronë ka qenë një përvojë e dhimbshme: “Të shkëputesha papritur nga shtëpia dhe kujtimet e mia ka qenë shumë e vështirë, sidomos për fëmijët, të cilët e patën të rëndë këtë ndryshim.”

Nga ana tjetër, një burim i afërt me Brad Pitt ka reaguar ndaj deklaratave të aktores, duke i cilësuar ato si “justifikime”.

“Kjo është një mosmarrëveshje tregtare, e ndarë nga çështja e divorcit. Është për të ardhur keq, por jo surprizë,” – ka thënë burimi.

Brad dhe Angelina, e finalizuan divorcin në dhjetor të vitit 2024, por ende mbeten në konflikt për pronësinë e “Château Miraval”. Pas ndarjes, Jolie e shiti pjesën e saj të aksioneve në vresht në vitin 2021 kompanisë “Tenute del Mondo”, që është pjesë e Stoli Group.

Në shkurt të vitit 2022, Pitt e paditi ish-bashkëshorten, duke pretenduar se ajo e kishte shitur pjesën e saj pa miratimin e tij – në kundërshtim me marrëveshjen që ndalonte secilin të shiste pa pëlqimin e tjetrit.

Në shtator të po atij viti, Jolie reagoi me një padi kundër Pittit, duke e akuzuar aktorin se kishte nisur “një luftë hakmarrëse” ndaj saj që nga momenti kur ajo kërkoi divorcin. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version