UBT News

Orkestra shqiptare ngjitet për herë të parë në skenën prestigjioze të Bolonjës

Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ngjitet për herë të parë në skenën prestigjioze të Teatro Auditorium Manzoni në Bolonjë, Itali, si pjesë e Festivalit Respighi Bologna 2025, një nga festivalet më të rëndësishme muzikore në Evropë.

Ky festival është i pari rezident i kushtuar Ottorino Respighi-t, një prej kompozitorëve më të shquar italianë të shekullit të 20-të.

Debutimi i orkestrës shqiptare më 13 tetor 2025 do ta vendosë atë në qendër të vëmendjes së një audience ndërkombëtare.

Orkestrën do ta dirigjojë spanjolli Sergio Alapont, ndërsa violinisti i talentuar Giuseppe Gibboni do të performojë si solist.

Në program janë përfshirë:

Nikolaj Rimskij-Korsakov – Ouverture, op. 28

Niccolò Paganini – Koncerti për violinë nr. 2 në si minor, op. 7 (solist Giuseppe Gibboni)

Sergej Rachmaninov / Ottorino Respighi – Cinq Études-tableaux, P 160

Igor Stravinskij – Suite nga L’Uccello di fuoco (The Firebird)

Përpara debutimit në Itali, orkestra do të prezantojë të njëjtin program për publikun shqiptar më 9 tetor 2025 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, duke shënuar një ngjarje të jashtëzakonshme për skenën muzikore shqiptare.

Violinisti Giuseppe Gibboni do të performojë menjëherë pas dy shfaqjeve të tij me Orkestrën Filarmonike të Teatrit “La Scala” të Milanos.

Në këtë projekt do të përfshihen edhe instrumentistë të rinj të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, duke dhënë një kontribut të veçantë në performancën e orkestrës.

Si festival rezident, Festival Respighi është i fokusuar në jetën dhe veprën e kompozitorit italian, duke e zhvilluar brenda vendit të tij të lindjes dhe në kontekstin e kulturës që e frymëzoi. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version