UBT News

Oligarkët e Orbánit në ankth, Hungaria drejt vendosjes së taksës mbi pasurinë

Qeveria e re hungareze, e udhëhequr nga kryeministri Péter Magyar, po përgatit një reformë të thellë fiskale që mund ta bëjë Hungarinë vendin e parë aktual anëtar të Bashkimit Evropian që vendos një taksë të re mbi pasurinë që nga vitet 1980.

Nisma vjen pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat i dhanë fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbán. Qeveria e re synon të rishikojë sistemin tatimor dhe të kufizojë privilegjet ekonomike që, sipas kritikëve, u krijuan gjatë viteve të administratës së mëparshme.

Një nga figurat më të njohura të biznesit të lidhura me periudhën e Orbánit, Balásy Gyula, ka njoftuar se ka transferuar bizneset e tij te shteti dhe ka hequr dorë nga një pjesë e pasurisë personale. Në një intervistë televizive, ai deklaroi se nuk sheh më perspektivë për kompanitë e tij në kushtet e reja politike.

Balásy Gyula ishte ndër përfituesit më të mëdhenj të kontratave publike gjatë qeverisjes së Orbánit. Kompanitë e tij menaxhonin rrjete të mëdha reklamimi që u përdorën për fushata shtetërore kundër figurave si George Soros dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas qeverisë, reforma e re fiskale synon të rrisë drejtësinë sociale dhe solidaritetin ekonomik. Ministri i Financave, András Kármán, ka bërë të ditur se detajet e plota të projektit do të publikohen deri më 5 qershor.

Duke komentuar politikën e re, kryeministri Magyar ka deklaruar se taksa mbi pasurinë “nuk është një formë ndëshkimi, por një shenjë e drejtësisë sociale dhe solidaritetit në një shtet funksional dhe human”.

Analistët vlerësojnë se masa mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te biznesmenët e pasur që kanë përfituar nga lidhjet politike në periudhën e mëparshme, ndërsa qeveria argumenton se të ardhurat shtesë do të përdoren për forcimin e shërbimeve publike dhe uljen e pabarazive ekonomike në vend./The Guardian/

 

Exit mobile version