UBT News

Oferta nga Barcelona për Christensen dhe transferimi i një mesfushori të ri, situata momentale te Chelsea

Në afatin kalimtar të transferimeve gjatë verës, kampioni evropian Chelsea arriti që ta transferoj yllin belg, Romelu Lukaku, duke refuzuar mundësinë për ta transferuar yllin e Dortmundit, Erling Haaland.

Raportohej se krerët e Chelseat për shkak të çmimit të lartë të Haaland refuzuan ta transferojnë atë, duke e shikuar opsionin e Lukakut si ideal për sulmin e tyre.

Por, kjo gjë e ka hendikepuar sulmuesin Timo Werner, i cili nuk është duke pasur minutazhë të mjaftueshme, ku edhe është spekuluar se gjermani mund të largohet nga skuadra e Thomas Tuchel.

Rreth kësaj situate ka folur gazetari i njohur Fabrizio Romano, i cili përmes një interviste me “TalkChelsea” ka treguar për të ardhmen e Werner, arsyen pse pista Haaland dështoi dhe situatën momentale të kontratave me mbrojtësit Christensen dhe Rudiger.

Fillimisht, Romano tregoi që Chelsea ishte i interesuar në Haaland, ku kishte pasur kontakte me agjentin e tij Mino Raiola, por shuma e lartë që e kërkonte Dortmundi bëri që “Blutë” të transferojnë Lukakun.

“Duke e ditur që në vitin 2022 Haaland ka një klauzolë lirimi prej 80 milionë eurosh, Chelsea kishte menduar që Dortmundi do ta pranonte një shumë në regjionin e 125 milionë eurove. Por kjo gjë nuk ndodhi pasi që Dortmundi nuk do ta pranonte kurrë këtë ofertë. Ata kërkonin 180 milionë për Haaland, dhe kjo është arsyeja pse Chelsea nuk ishte kurrë në bisedime të avancuara me të”, tha Romano.

“Kur e kuptuan situatën me Haaland, Chelsea vendosi për Lukakun. Në fakt, ata kishin përgatitur ofertën për Lukakun për javë të shumta, në një mënyrë top sekrete, me agjentët e lojtarit dhe klubin e Interit. Për këtë arsye, ata kishin një marrëveshje brenda 48 orëve me Lukakun. Mendoj që ishte strategji perfekte, dhe jo e lehtë”, shtoi Romano.

Romano vazhdoi me situatën e Timo Werner, duke thënë se ka gjasa që lojtari mund të largohet nga Chelsea.

“Werner është blerë që të jetë ylli i tyre për vite me radhë, por ai nuk tregoi paraqitje shumë të mira, dhe pastaj e transferuan Lukakun. Në anën psikike, nuk është e lehtë për të që të konsiderohet si Plani B. Për këtë arsye ekzistojnë shanset që Werner do të largohet nga Chelsea verën e ardhshme’, tha Romano.

Po ashtu, Romano ka treguar që skuadra e Chelseat është duke punuar që të arrijë marrëveshje mbi rinovimin e kontratave sa më shpejtë me mbrojtësit si Rudiger e Christensen.

“Situata e Rudigerit është shumë e qartë. Ai dëshiron një kontratë të rëndësishme. Para ardhjes së Tuchel, ai konsiderohej si njëri nga lojtarët e fundit në Chelsea, kurse pas Tuchel ai është duke kaluar nëpër momente fantastike. Nëse ai vazhdon me paraqitje të mira, Chelsea do t’i jap atë që kërkon, por momentalisht është shumë larg që marrëveshja të arrihet”, tha Tuchel.

“Sa i përket Christensen, ata kishin arritur marrëveshje në fund të gushtit, por në fund situata ndryshoi ku agjentët e tij filluan t’i propozojnë oferta nga klubet e tjera, ndër to edhe Barcelona, dhe tani vetë Christensen ka zgjedhur të ketë më shumë kohë për të menduar para se t’i thotë po Chelseat”, shtoi gazetari i njohur italian.

Për fund, Romano foli edhe për repartin e mesfushës, duke treguar që do t’i ofrohen kontrata të reja mesfushorëve si Kante dhe Jorginho, ku edhe tregoi se kampioni anglez ka shprehur interesim tejet serioz në shërbimet e yllit të Monacos Aurelien Tchouameni.

“Chelsea dëshiron që të transferojë një mesfushorë të ri në rolin e shkatërruesit. Aurelien Tchouameni është opsioni që ata preferojnë, ku edhe vazhdimisht janë në kontakte me agjentin e tij. Po ashtu, vetë lojtari do të dëshironte me çdo kusht kalimin në Premier Ligë, dhe Chelsea është i përfshirë në garën për të siguruar shërbimet e tij”, tha Romano.

Këto janë disa nga lajmet më të reja rreth klubit të Chelseat nga gazetari Fabrizio Romano, i cili konfirmoi që “Blutë” e Londrës do të hynë në këtë afat kalimtar të transferimeve me synimin për të përforcuar më shumë skuadrën, drejt garës për titullin e Premier Ligës angleze dhe atë të Ligës së Kampionëve.

Exit mobile version