UBT News

OEK shpreh shqetësim të thellë lidhur me faturat e energjisë elektrike

Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës në kuadër të saj, kanë shprehur shqetësimin e thellë lidhur me faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, të cilat sipas tyre po shndërrohen në një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues.

Në komunikatën e lëshuar për media thuhet se që nga dita e parë, Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e saj Prodhuese, ka ngritur zërin publikisht dhe institucionalisht se dalja e detyrueshme e prodhuesve në tregun e lirë do të rezultojë me çmime të papërballueshme për bizneset. Sot, fatkeqësisht, po vërtetohet pikërisht ajo për të cilën kemi paralajmëruar.

OEK ka paraqitur edhe disa të dhëna zyrtare, që sipas tyre, bizneset prodhuese të obliguara të furnizohen në tregun e lirë kanë paguar 162 €/MWh në qershor 2025 dhe 203 €/MWh në korrik 2025.

Në të njëjtën periudhë, konsumatorët në furnizim të rregulluar kanë paguar vetëm 65–75 €/MWh.

Ky dallim i pajustifikuar, mbi 3 herë më i lartë për prodhuesit, ka sjellë pasoja të rënda për konkurrueshmërinë e fabrikave tona dhe i ka vendosur prodhuesit kosovarë në pozitë të pabarabartë në raport me sektorët e tjerë të brendshëm dhe konkurrentët rajonalë.

Në kulmin e verës, kur normalisht pritet ulje e çmimeve, faturat e prodhuesve janë rritur në nivele rekord. Kjo ngre alarmin se në periudhën e dimrit, kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të kalojnë edhe 300 €/MWh, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme si:

mbyllje të fabrikave,

humbje të mijëra vendeve të punës,

rrëzim të prodhimit vendor dhe rritje të varësisë nga importet.

 

 

Exit mobile version