UBT News

Numërohen mbi 90% e votave, vetëm në Tiranë është djegur një mandat deputeti nga fletët e pavlefshme

Numërohen mbi 90% e votave, vetëm në Tiranë është djegur një mandat deputeti nga fletët e pavlefshme.

Procesi i numërimit ka përfunduar në 4 qarqe, ndërkohë që po vijon në 8 qarqe të tjera të vendit. Problematikë është qarku i Tiranës dhe i Durrësit me shumë kuti të panumëruara. Në Tiranë janë për t’u numëruar edhe 358 kuti votimi, në Durrës 145, Berati edhe 7 kuti, në Vlorë ka mbetur edhe një kuti votimi, Elbasani ka edhe 14 kuti, Lezha 8, kurse në Shkodër kanë mbetur edhe 15 kuti votimi.

Ndërkohë që deri në orën 7:30 janë numëruar mbi 90% e votave, ndërsa janë shpallur të pavlefshme 73 mijë e 485 vota. Vetëm në Tiranë rezultojnë 12 mijë e 766 fletë votimi të pavlefshme, çka tregon se vetëm në këtë qark është djegur një mandat deputeti nga fletët e pavlefshme.

Ndërkohë janë gjobitur 18 KZAZ dhe 128 komisionerë. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka gjobitur me 3 mijë lekë gjobë komisionerët që deri në orën 22:00 të mbrëmjes së djeshme kishin numëruar më pak se 50% të kutive të votimit, shkruan A2.

Sa i takon videos së publikuar nga kandidati i pavarur i Gjirokastrës për tjetërsimin e votës, Celibashi e cilësoi atë si veprim kriminal dhe tha se prokuroria duhet të nisë hetimet. Sipas tij ajo është vepër penale.

Exit mobile version