Federata e Xhudos së Kosovës ka nisur një kapitull të ri me përfshirjen e kampiones olimpike, Nora Gjakova, në rolin e trajnere asistente të ekipit të meshkujve. Ajo tashmë i është bashkuar stafit teknik dhe po punon me plot energji e përkushtim në stërvitjet që po mbahen në Bordeaux të Francës.
Në këtë grumbullim, ekipi i meshkujve po përgatitet intensivisht për garat e rëndësishme që i presin në muajt e ardhshëm. Nën drejtimin e trajnerëve dhe me mbështetjen e Norës, xhudistët Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Dardan Cena dhe Anes Veseli po zhvillojnë seanca të forta stërvitore, duke dhënë maksimumin në çdo hap të përgatitjeve.
Përfshirja e Nora Gjakovës në stafin e trajnerëve shihet si një vlerë e madhe për ekipin, duke sjellë përvojën e saj të pasur ndërkombëtare dhe frymën e suksesit që ka shoqëruar karrierën e saj si sportiste.
Kosova shpreson se ky kombinim i përvojës dhe energjisë së re do të sjellë rezultate të reja pozitive për xhudon kosovare në arenën ndërkombëtare.