Të dielën në mbrëmje ka vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër Erdogan Celina, njëri prej emrave më të shquar të futbollit kosovar. Ish-qendërmbrojtësi i njohur ishte pjesë e gjeneratës së artë dhe zhvilloi një karrierë të bujshme me ekipet e Lirisë, Trepçës dhe Prishtinës, si dhe ishte titullar në finalen e Kupës Marshall Tito në vitin 1978 me Trepçën kundër Rijekës para 40 mijë shikuesve në stadiumin “Marakana”.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai dha kontribut edhe si trajner i Lirisë së Prizrenit dhe te përfaqësuesja e Kosovës U21. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e konfirmoi kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili përmes një postimi e kujtoi kontributen dhe sakrificën e tij për futbollin kosovar.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta, pas një sëmundjeje të shkurtër, të Erdogan Celinës, një prej figurave më të shquara dhe më të respektuara të futbollit të Kosovës, një futbollist ikonë dhe një njeri i jashtëzakonshëm, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit tonë. Me ndarjen e Erdogan Celinës, futbolli i Kosovës humbi një prej figurave të tij ikonike, ndërsa komuniteti ynë sportiv humbi një personalitet të rrallë, një lider të një gjenerate dhe një njeri të shkëlqyer”, shkruan Ademi.
