UBT News

Njohuri, debat dhe inovacion – përmbyllet Akademia Verore për Ekonomi, Financa, Banka dhe Sigurime

Me një sërë aktivitetesh dhe ligjëratash përmbajtësore, përfundoi me sukses Akademia Verore për Ekonomi, Financa, Banka dhe Sigurime. Pjesëmarrësit ndoqën ligjërata dhe diskutime të fokusuara në zhvillimet aktuale ekonomike dhe financiare, duke fituar njohuri të vlefshme për analizimin e trendeve ekonomike dhe vlerësimin e perspektivave të ardhshme në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Prof. Artan Haziri, ekspert me përvojë shumëvjeçare në fushën e kontabilitetit, raportimit financiar dhe legjislacionit tatimor, mbajti një ligjëratë të specializuar për studentët e Akademisë Verore, duke ofruar një kombinim të njohurive teorike dhe përvojës praktike mbi sistemin tatimor të Kosovës.

Gjatë ligjëratës, ai trajtoi strukturën dhe funksionimin e politikave fiskale, sfidat që lidhen me zbatimin e legjislacionit tatimor, si dhe rëndësinë e administrimit efikas fiskal në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe formalizimin e aktiviteteve biznesore.

Ligjërata u pasurua me shembuj praktikë dhe analiza konkrete të mekanizmave të mbledhjes së tatimeve në Kosovë, të mbështetura në kornizën aktuale ligjore dhe fiskale të vendit. Vëmendje e veçantë iu kushtua tatimit në të ardhurat personale nga pagat primare dhe sekondare, shkallëve progresive tatimore të zbatueshme në Kosovë, si dhe rolit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në sistemin fiskal. Në këtë kontekst u trajtuan normat standarde dhe të reduktuara të TVSH-së, përkatësisht 18% dhe 8%, si dhe ndikimi i tyre në aktivitetin ekonomik, konsumin dhe funksionimin e bizneseve.

Po ashtu, Prof. Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në kuadër të Akademisë Verore për Ekonomi, Financa, Banka dhe Sigurime, mbajti ligjëratën me temë: “Nga të dhënat te vendimmarrja: Roli i Statistikës dhe Inteligjencës Artificiale në Biznes dhe Politikëbërje”.

Gjatë kësaj ligjërate, pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e të dhënave statistikore dhe metodave bashkëkohore analitike në proceset e vendimmarrjes strategjike. Në veçanti, u trajtua roli gjithnjë e më i madh i Inteligjencës Artificiale në transformimin e të dhënave në njohuri të vlefshme për bizneset dhe institucionet publike.

Ligjërata theksoi rëndësinë e përdorimit të statistikave zyrtare dhe teknologjive inteligjente për hartimin e politikave të bazuara në evidencë, përmirësimin e efikasitetit organizativ dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.

UBT dhe Fakulteti i Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë mbeten të përkushtuar në organizimin e aktiviteteve të tilla akademike, të cilat promovojnë ekselencën, inovacionin dhe përgatitjen e gjeneratave të reja për t’u përballur me sfidat e ekonomisë globale dhe tregut bashkëkohor të punës.

Exit mobile version