Përderisa artistët tjerë mund të përdorin bojëra uji apo bojëra vaji, Mbongeni Buthelezi përdor mbetje plastike për të krijuar portrete me teksturë të lartë në studion e tij në Booysens, Johannesburg.
Mjet i tij janë mbeturinat plastike që ai i mbledh nga vendgrumbullimet lokale të plehrave dhe rrugët e qytetit.
“Kafshët po vdesin, peshqit në oqean po vdesin — për shkak të këtij materiali dhe për shkak të neve si qenie njerëzore”, tha Buthelezi. “Jemi ne që duhet të marrim përgjegjësi”.
Një artist dhe aktivist, Buthelezi, 56-vjeçar, së pari e gjeti talentin e tij në fshatin KwaZulu-Natal, Afrikë e Jugut. Ai skaliti figurina balte të bagëtive rreth fshatit të tij: lopë, kuaj dhe dhi.
“Jam rritur me kafshët e babait tim, bagëtitë ishin pjesë e rëndësishme e jetës time”, deklaroi Buthelezi. Por jo gjithçka në këtë mjedis rural ishte e natyrshme.
Ai shpjegoi se mbeturinat plastike ishin aq të zakonshme në zonat e kullotave saqë u bënë një pjesë e padëshiruar e dietës së rregullt të lopëve.
“Mund t’i shihnim këto lopë duke ngordhur sepse kishin ngrënë plastikë”, tha Buthelezi.
Pesë dekada më vonë, Afrika e Jugut ende përballet me ndotje plastike. Në vitin 2018, 107 mijë ton metrikë mbetje plastike nga Afrika e Jugut përfunduan në mjedisin detar. Një studim i vitit 2015 zbuloi se vendi ishte një nga 20 kontribuesit kryesorë në botë për ndotjen e plastikës detare. Përmes punës së tij, ai po e nxjerr në pah këtë dukuri dhe po përpiqet ta luftojë.
Plastika praktike
Përdorimi i mbetjeve nga Buthelezi nuk ishte gjithmonë në mbrojtje të mjedisit; ai fillimisht filloi të përdorte mbeturina plastike për artin e tij sepse nuk mund të përballonte mjete më tradicionale.
Në moshën 22-vjeçare, kur vendi ishte ende nën aparteid, ai u regjistrua në një shkollë arti me orar të plotë, në komunitet në Soweto, një qytezë në Johanesburg. Ai mori me vete vetëm dy batanije, shumë pak para dhe shumë optimizëm. Atje ai jetonte në një dhomë të vogël dhe punonte punë të çuditshme midis klasave për të përballuar qiranë dhe ushqimin. Nuk kishte para për materiale.
“Ishin vitet ’80-ta dhe Afrika e Jugut po përballej me këtë fazë tranzitore ku politika ishte shumë e paqëndrueshme”, tha Buthelezi.
Ai shtoi se klima politike nuk ofronte shumë mundësi për të rinjtë zezakë afrikano-jugor që përpiqeshin të ndërtonin karrierën e tyre, veçanërisht ata nga fshatrat. Problemi kryesor ishte mungesa e fondeve.
Buthelezi shpjegoi se nuk kishte shkollim formal në qytete dhe institucionet me bazë komunitare, si kolegji i tij, nuk morën mbështetje nga shteti. Ai shpjegoi tutje se si në shkolla i mësuan se si t’i shfrytëzojnë revistat e vjetra për të krijuar vepra arti.
“Afër studios sime në kolegj ishte një vend depozitimi”, kujton ai. “Pashë të gjitha këto ngjyra të shkëlqyera, këto materiale… dhe thashë me vete, çfarë mund të bëj për t’i dhënë kuptim plastikës që është kudo?”
Ai filloi të mblidhte mbeturina plastike për të “lyer” në vend të bojrave të shtrenjta të vajit. Ai zhvilloi një teknikë të përdorimit të një pistolete elektrike të nxehtësisë që prodhonte ajër të nxehtë për të shkrirë plastikën dhe më pas për ta aplikuar atë në një kanavacë të ricikluar. Sipas Buthelezit, kjo është më miqësore me mjedisin sesa përdorimi i flakëve për shkrirjen e plastikës dhe nuk lëshon tym të dëmshëm në atmosferë.
Pas përfundimit të studimeve në Institutin Afrikan të Artit dhe më pas në Fondacionin e Artit të Johanesburgut, ai mori një diplomë të avancuar në Artet e Bukura nga Universiteti i Witwatersrand. Ndërsa karriera e tij po zhvillohej tutje, ai reflektoi mbi përvojat e tij të fëmijërisë me plastikën dhe rolin që luajti ndotja plastike në vdekjen e shumë lopëve të babait të tij. Në vitet ’90, Buthelezi u bë një artist profesionist dhe ishte i vendosur të përdorte inovacionin në art për të mirën e planetit./UBTNews/