Sezoni i ri i Ligës Premier 2026/27 starton mbrëmjen e sotme në orën 21:00 me sfidën mes kampionëve në fuqi, Arsenalit, dhe Coventry City. Ky edicion sjell ndryshime të rëndësishme në rregulloren e lojës, me synim kryesor përshpejtimin e ritmit dhe ndëshkimin e vonesave taktike.
Përshpejtimi i rivënieve: Lojtarët kanë vetëm 5 sekonda kohë për të kryer një rivënie anësore apo rivënie të topit në lojë. Nëse gjyqtari vëren vonesë, fillon numërimin mbrapsht; nëse koha shkelet, zotërimi i topit i kalon kundërshtarit (ose akordohet goditje këndi te rivënia e topit).
Trajtimi i lëndimeve: Një lojtar i lënduar duhet të qëndrojë jashtë fushës për 1 minutë (nga 30 sekonda sa ishte më parë). Përjashtim bëhet vetëm nëse lëndimi është shkaktuar nga një faull ku kundërshtari është ndëshkuar me karton të verdhë.
Sanksione për “lëndimet e rreme” të portierit: Nëse një portier rrëzohet duke shkaktuar ndërprerje taktike, trajneri detyrohet të nxjerrë një lojtar tjetër nga fusha për 1 minutë.
Zëvendësimet me kohëmatës: Çdo zëvendësim duhet të zgjasë maksimumi 10 sekonda. Nëse lojtari largohet më ngadalë, lojtari i ri nuk do të lejohet të hyjë në fushë për 1 minutë.
Ndërhyrja e VAR-it për kartonin e dytë të verdhë: Sistemi VAR tashmë ka të drejtë të ndërhyjë për të korrigjuar një gabim të qartë te kartoni i dytë i verdhë (p.sh. nëse nuk ka pasur fare faull). Megjithatë, VAR nuk mund të kërkojë dhënien e një kartoni nëse gjyqtari nuk e ka akorduar atë në fushë.
Për dallim nga Kupa e Botës e kësaj vere, Liga Premier ka vendosur të mos aplikojë ndalimin e mbulimit të gojës gjatë komunikimit dhe as pushimet e detyrueshme për hidratim. /E.A/
