Nisja e punimeve për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë ka shënuar sot një hap të rëndësishëm për infrastrukturën sportive në Kosovë.
Ky projekt modern, i cili kap vlerën e mbi 5.7 milionë eurove, parashikon ndërtimin e një palestre të re me standarde ndërkombëtare, si dhe një objekti multifunkional që do të ofrojë akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant për sportistët.
Në ceremoninë e vënies së gurthemelit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Sportit, Blerim Gashani dhe krerët e Federatës së Xhudos, e cilësoi këtë investim si një përgjigje ndaj rezultateve të jashtëzakonshme që ky sport i ka sjellë vendit ndër vite.
Hapësirat e reja pritet të shërbejnë edhe për garat e sporteve luftarake gjatë Lojërave Mesdhetare 2030, duke e kthyer Pejën në një qendër rajonale të xhudos.
Përveç rëndësisë infrastrukturore, ky projekt u vlerësua lart edhe nga trajneri Driton Kuka, i cili u kërkoi xhudistëve që këtë mbështetje serioze të shtetit ta shpërblejnë me punë e rezultate të reja në arenën ndërkombëtare.
Aktualisht, në këtë qendër po stërviten edhe sportistë nga Ukraina, gjë që dëshmon ndikimin e saj përtej kufijve të Kosovës.
“Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gurthemel. Sot, po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës. Xhudoja është suksesi më i madh që kemi ndërtuar si shtet në sport,” deklaroi kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.
