UBT News

Nis viti i ri shkollor në Shqipëri

Me respektimin e masave kundër COVID-19, rreth 480 mijë nxënës në sistemin parauniversitar në Shqipëri do të nisin sot vitin e ri shkollor.

Mësimi ishte parashikuar të fillonte në datën 13 shtator, por Ministria e Arsimit vendosi që të shtyhej deri më sot.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale ka uruar nxënësit për nisjen e vitit të ri shkollor dhe i ka këshilluar të zbatojnë masat kundër COVID-19.

“Urim për të gjithë nxënësit që nisin nesër vitin e ri shkollor, bashkë me angazhimin për të bërë gjithmonë më të mirën që ata të kenë një vit sa më të mbarë e të suksesshëm. Suksese të gjithëve”, shkruan Kushi.

Mësimi do të zhvillohet me një deri në katër turne ndërsa orët do të zgjasin nga 25 deri në 45 minuta në varësi të kapacitet të shkollës.

Në ndryshim nga viti i kaluar, mësuesit do të rikthehen në klasa të vaksinuar, ndërsa për ata që nuk e bëjnë, do të duhet të paraqesin testin për COVID-19 çdo javë për të treguar se nuk janë të infektuar nga virusi. /Ora News

Exit mobile version